Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare përkujton sot 20 korrikun, ditën e formimit të Organizatës së LANÇ. Në nderim të kësaj dite të shënuar në historinë e Shqipërisë që në vitin 1957, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj priti në zyrën e tij një përfaqësi të veteranëve dhe pasardhësve të tyre për të kujtuar betejat dhe gjakun e derdhur të 28 mijë dëshmorëve e heronjve që ranë për çlirimin e vendit.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se kjo ditë që këtë vit përkon edhe me Kurban Bajramin, ka bashkuar shërbimin dhe devotshmërinë ndaj vendit me sakrificën dhe përkushtimin ndaj Zotit.
“Kjo ditë e veteranëve përkon edhe me festën e Kurban Bajramit, festën e një sakrifice dhe teksa ata që besojnë dhe ata që shërbejnë në komunitetet fetare i referohen një sakrifice për të dëshmuar përkushtim ndaj Zotit, në komunitetin e veteranëve kemi përfaqësuesit më të denjë të atyre që bënë një sakrificë për të dëshmuar devotshmërinë ndaj vendit. Në qoftë se Perëndia sfidoi Ibrahimin që të sakrifikonte djalin e tij dhe e zëvendësoi me qengj dhe për të ilustruar devotshmërinë që ka dikush ndaj diçkaje që beson, në rastin e veteranëve ishte sakrificë për vendin e cila u shpagua me gjak dhe me jetët e atyre djemve e vajzave që antifashizmin dhe idealin e një Shqipërie të lirë e kishin besimin e tyre,” u shpreh Veliaj.
Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ, Odhise Porodini, u shpreh mirënjohës për kontributin e Bashkisë së Tiranës ndaj komunitetit të veteranëve.
“Ne jemi të kënaqur nga kontributi juaj, i Bashkisë, që ka bërë tërë këtë mrekulli dhe besoj që edhe në të ardhmen ne gjithnjë do jemi bashkë me njëri-tjetrin në këto evenimente të rëndësishme që përjetojmë ne si organizatë me të gjithë popullin shqiptar, qoftë edhe për festën e veteranëve që është një festë gjithëpërfshirëse, se nuk është vetëm e veteranëve, por është e gjithë Shqipërisë, e gjithë popullit i cili ka dhënë kontributin e vet të rëndësishëm,” u shpreh ai.
“Ditën e Veteranit”, ashtu si në Shqipëri e festojnë edhe të gjitha shtetet demokratike, pjesëmarrëse në Koalicionin Antifashist Botëror, si: SHBA, Angli, Francë etj.