Transferimi i Gianluigi Donnarumma nga Milani te PSG ishte ndër më të diskutuarit në këtë merkato vere. Portieri, pasi fitoi Kampionatin Europian si protagonist me Italinë, fluturoi në Paris për të nënshkruar kontratën e re, që do ta lidhë atë me klubin e Al-Khelaïfi. Qershia mbi tortën e një fushate superblerjesh, që pa Wijnaldum, Sergio Ramos dhe Hakimi të zbarkonin nën Kullën Eiffel.

Por, a ishte çështja e parave, determinante në largimin nga Milani? Duke marrë parasysh zbulimet e fundit të francezes “L’Équipe”, nuk duket kështu. Portieri italian, në fakt do të fitojë 7 milionë euro neto si pagë fikse, më pak se 8 milionë euro, që kuqezinjtë i kishin propozuar atij për të rinovuar. Falë bonuseve personale dhe ekipore, paga e Gigio mund të rritet lehtësisht, por pa arritur 12 milionë euro, shumë për të cilën është folur javët e fundit.

Donnarumma, pra, do të marrë më pak sesa kolegu i tij, Keylor Navas, i cili disa muaj më parë rinovoi deri më 2024 për 12 milionë euro bruto (rreth 8.2 milionë euro neto, falë regjimit të subvencionuar të taksave që përfiton si banor i ri në Francë, të cilin nuk mund ta bëjë akoma italiani). Ish-portieri i Milanit, pra, duhet të shpresojë për një super sezon në nivel personal dhe ekipor. “L’Equipe” shpjegon se te PSG ekziston edhe një bonus “etik”, i lidhur me një seri rregullash sjelljeje, që klubi ua imponon anëtarëve të vet.

Ato kanë të bëjnë me marrëdhëniet me mediat dhe tifozët, pra qëndrimet jashtë fushës. Donnarumma sigurisht që do të përpiqet të përgjigjet në drejtkëndëshin e blertë, për ta konfirmuar veten si një nga portierët më të mirë në qarkullim. Kuptohet, edhe ta bëjë llogarinë e tij bankare të rritet më shumë.