Nga Plator Nesturi/ Reforma në drejtësi në përvjetorin e pestë të saj, por nga ana e opozitës pati një heshtje të madhe. Ndonëse me të drejtë, sa herë iu duhet ta përmendin, përfaqësuesit e saj theksojnë se kanë dhënë votën en block dikur, zbrazëtia e kontributit opozitar në vitet e fundit dhe për më tepër qëndrimet negativiste ndaj procesit, duket se kanë lënë gjurmë. Në eventet e organizuara ditën e djeshme me protagonist prokurorë e gjykatës, diplomatë të huaj dhe miq specialë që kontribuajnë në reformën direkt apo indirekt, vihej re që përfaqësia nga opozita ishte e mangët. Në fakt, drejtuesit e saj, duke qenë se kanë dorëzuar mandatet e deputetëve prej mëse dy vjetësh, janë pa një status raprezentativ përderisa kanë dalë jashtë sistemit. Në këto kushte, deri në shtator kur kanë deklaruar se do të ulen në sallën e parlamentit, janë vetëm dëgjues të thjeshtë si çdo qytetar i zakonshëm. Gjithsesi, një qëndrim politik, apo deklaratë shtypi mund dhe duhej të ishte bërë nga selia blu.
Së pari sepse duhet një pozicionim i qartë jo vetëm për çfarë është bërë në drejtësi në këto vite, por dhe për të përcaktuar linjën e saj kur të vijë në parlament lidhur me procesin në vijim të reformës. Ky madje do të ishte dhe një rast i mirë për PD së pari për të shprehur ca nota pendese për pengesat në të shkuarën e afërt, mosbesimin dhe akuzat e denigruese për gjithë procesin, dhe mungesën e dëshirës që kjo reformë të kryhej e suksesshme. Në fjalën e ambasadores së SHBA, ndërsa përshëndeti ecurinë e këtyre pesë viteve, u tha qartë ’se shumë u përpoqën të bllokojnë reformën, por e rëndësishme është që sot po shohim rezultate”. Dhe në këtë rast duket qartë se ku drejtohet gishti. Opozita qëndrimin e saj duhet ta bëjë të qartë jo thjesht për qokë meqë është një përkujtimore, por se kështu mund të kuptojmë se me çfarë mendje po futet në parlament. Për të bllokuar gjithshka sic ka bërë dikur, apo ka zënë mend dhe do të japë një kontribut konkret të saj si një forcë modern politike.
Së dyti qëndrimet e opozitës do bëjnë të ditur dhe diçka tjetër shumë më të rëndësishme: pozicionimin e saj real kundër kurrupsionit dhe të korruptuarve sidomos nëse ata që kanë abuzuar dhe që mund të bien në rrjetën e SPAK, mund të dalin nga rradhët e tyre. A do jetë e gatshme ti lëshojë e të vetpastrohet, apo do të vijojë të jetë një fole strehimi për çdo abuzues që për shkeljet e korrupsionin e kryer do të kërkojë status politik për mbrojtje. Deri tani, shembujt nuk janë të mirë dhe rasti Berisha e tregoi këtë. Sidoqftë pyetja mbetet: a do të ketë të njëtin solidaritet PD si për Berishën edhe për të korruptuarit e tjerë në rradhët e saj?