Nga Artur Ajazi/

Kjo ishte Partia Demokratike, për ata që besonin se diçka do të ndryshonte. Ishte ajo ç’ka pritej, pamë dhe dëgjuam në kuvendin e saj. E veçanta e atij kuvendi, ishte provokimi i hapur ndaj SHBA-ve, me hyrjen në sallë si “triumfator” i Sali Berishës. Ishte “mot a mot”, si Konferenca e Tiranës.

Por le të kthehemi tek Lulzimi dhe kuvendi i tij. E kishte pergatitur gjithçka deri në detaje, ashtu siç bëri edhe Enver Hoxha, kur erdhi me urgjencë nga Vlora në konferencën e Tiranës dhe bëri “copë” kundërshtarët, duke mos u marrë aspak me problemet e tij. Kjo ka ndodhur edhe me Lulzimin.Përgjatë fjalimit, ai akuzoi Edi Ramën, akuzoi qeverisjen e tij se “bleu vota, përdori bandat” dhe se “fitorja ishte e Partisë Demokratike, paçka se e çertifikoi BE, OSBE, SHBA, dhe KQZ”.

Nga fillimi deri në fund, fjalimi i Bashës ngjasonte me sulmet që dikur bënte Enver Hoxha ndaj “reaksionit të brëndshëm dhe armiqve të partisë”,duke paralajmëruar spastrimet, dhe harruar shkakun e pasojave që po kalonte vendi. Partia Demokratike mbajti mes vapës kuvendin e saj, për të mbuluar dhe groposur përfundimisht shkaqet dhe fajet e autorit të humbjes së zgjedhjeve. Lulzim Basha e kishte llogaritur deri në imtësi, gjithçka do të ndodhte brënda sallës ku mbajti kuvendin. Lista e gjatë me emra servilësh që do ti thurrnin lavde kryetarit “qëndrestar” (dhe vetëm një zë i mekur i Markut që doli kundër) dhe do të akuzonin Edi Ramën si “shkakun e vetëm të humbjes”.

Edi Paloka tha se “fitoren na e vodhi Edi Rama, se në Durrës fitoi Partia Demokratike, se bandat e Gjyshit dhe Çyrbes na vodhën votat”, por e harroi se dega e Partisë Demokratike në qytetin bregdetar,nuk ka sot as 15 per qind të anëtarëve që ka patur në 2013. Ata janë larguar, janë zhgënjyer, janë flakur nga rradhët e partisë, ndërkohë që prej 5 vitesh grinden tre “kryetarë” për postin e pavotuar. Por pavarsisht kësaj, Paloka foli e foli, dhe vetëm me Edi Ramën e kishte ndërtuar gjithë fjalimin e tij.

Asnjë analizë të thelluar mbi humbjen në zgjedhje, asnjë të akuzuar nga partia, por veç lëvdata për Lulzimin. Më qesharak ishte fjalimi Edmond Spahos, kur në fjalimin e tij nisi të akuzonte LSI-në për rezultatin e marrë në Korçë, dhe kështu me rradhë për Bardhi për Elbasanin, apo dhe Leskaj për Vlorën, etj. Asnjë ndjesë publike mbi vrasjen e Elbasanit, mbi grupet paramilitare, mbi incidentet në dhjetra qendra votimi me njerëzit e armatosur, mbi incidentet e shkaktuara gjatë fushatës në mitingjet e paligjshme, etj. Gjithë kuvendi ishte ndërtuar mbi akuza ndaj qeverisjes, ndaj kryeministrit, dhe ngritja në “hava” e rolit të kryetarit Basha. Ishte sa qesharake, aq edhe e turpshme, tek dëgjoje Grida Dumën, tek deklaronte se “vërtetë humbëm zgjedhjet , por dolëm më të fortë dhe më të bashkuar”.

Kjo është Partia Demokratike sot, që nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike të 30 viteve më parë. Asgjë nuk e bashkon Lulzim Bashën me dhjetoristët e ‘90, me idealet dhe me sakrificat e tyre. Asgjë nuk e bashkon Gazin, Ervinin, Gridën, me soj dhe sorrollop që ka mbledhur sot Basha, me themeluesit e asaj partie, që u larguan me dajak nga Sali Berisha.Kjo po ndodh edhe sot me benieminin e tij Lulzim Basha.Një tufë të korruptuarish, dhe të akuzuarish,emra të cilët kanë nisur të jenë subjekt i SPAK dhe diskutimit nga DASH për tu shpallur “non-grata” në SHBA, mblidhen dhe mbajnë kuvendin e tyre në Tiranë, duke shpresuar se sfidojnë drejtësinë e re në Shqipëri, por tërthorazi edhe Departamendin Amerikan të Shtetit me praninë e Sali Berishës në sallë.

Ajo parti nuk është dhe nuk do të ndahet nga e shkuara, sepse ajo është fidanishte e të keqes. Një “dorë e shtrirë” nga një kryetar i pavotuar nga anëtarësia, është kulmi i cinizmit dhe arrogancës ndaj vlerave të një force politike, të cilën e ka kthyer tashmë në çiflik të familjes tij.Kuvendi i PD, u tregoi edhe njëherë demokratëve të mbetur por edhe shqiptarëve, se atë parti të lodhur, nuk e ka lidhur dhe nuk e lidh asgjë me të djathtën, me lirinë dhe demokracinë. Ajo është parti e të majtës rradikale dhe maskëçjerrë, e destinuar të shuhet si forcë politike, deri në rithemelimin nga një brez tjetër i një partie të vërtetë me ideale demokratike, sipas modelit të demokracisë amerikane.