Kryeministri Edi Rama në një intervistë të dhënë për Euronews Serbia, ka folur për protestën që po zhvillohet prej më shumë se 1 muaji në Tiranë, duke e konsideruar si një përfaqësi e fazës së re zhvillimore që shoqëria po kalon drejt pritshmërive më të larta.
“Protesta është diçka shumë më e madhe se vetë tema. Nuk janë vetëm flamingo. Është shumë më tepër se kaq. Është një sinjal se vendi ka kaluar në një nivel tjetër, se zhvillimi është bërë normal, se njerëzit nuk janë më të gatshëm të vuajnë atë që mungon”, tha Rama.
“Njerëzit janë gjithnjë e më pak tolerantë ndaj asaj që mungon. Kjo është arsyeja pse njerëzit duan më shumë. Ata e duan tani. Dhe nuk mund t’i fajësojmë për këtë. Ky është çmimi që paguajmë për suksesin tonë. Kjo, sipas mendimit tim, është një protestë ndaj pritjeve në rritje dhe ne duhet të përballemi me të”, tha ai.
Sot jetesa është në standarde më të larta, thotë Rama, dhe kjo është shtysa që i nxjerr qytetarët në bulevard për të protestuar, kërkesa për më tepër.
“Pavarësisht se si e quajnë njerëzit, pavarësisht se sa ashpër kritikohet – në fund të fundit, arsyeja është se njerëzit jetojnë më mirë. Dhe kjo është arsyeja pse ata duan shumë më tepër. Normalisht, shoqëritë e varfra kanë një prag shumë të lartë tolerance për atë që u mungon. Shoqëritë e zhvilluara dhe në zhvillim kanë një prag shumë më të ulët të asaj që është e pranueshme. Ato duan atë që mungon.”
Rama gjithashtu ka komentuar idenë e ‘Ballkanit të hapur’, një nismë që kreu i qeverisë shqiptare thotë, u kritikua për shkak se iniciatorë ishte vetë ai dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Rama theksoi se qytetarët po bëhen gjithnjë e më pak tolerantë ndaj mangësive dhe se kërkojnë ndryshime të shpejta.










