Në vazhdën e mbështetjes dhe promovimit nga strukturat, mediat dhe analistët e opozitës, kryetari i Bashkisë së Vlorës Dritan Leli u shfaq në një intervistë televizive duke sfiduar elektoratin e Partisë Socialiste me votat e të cilit mban karrigen që prej vitit 2015.

Me gjuhën e një kryebashkiaku të zgjedhur si kandidat i pavarur, me shkelje syri ndaj opozitës së Lulzim Bashës dhe Ilir Metës, Dritan Leli provokoi socialistët duke hedhur në publik as më pak e as më shumë se sa tezat e demokratëve e duke e fshirë kontributin e Partisë Socialiste në transformimin e qytetit.

Ka harruar që vetëm pak ditë më parë deklaroi se refuzoi propozimin për deputet pasi nuk dëshironte të bëhej pjesë e politikës për vitet e ardhshme, ndërsa në intervistën e sotme deklaron me krenari “jam pjesë e politikës”. Se cilit krah të politikës, mjafton të shikoni se nga kush mbrohet në publik direkt dhe indirekt.

Gjeni një fjalim të mëparshëm të Dritan Lelit dhe do ta keni të vështirë që brenda dy fjalive të mos e dëgjoni së paku 4 herë emrin e Edi Ramës me superlativa. Por, bëjeni dhe një ushtrim tjetër të vogël. Dëgjojeni intervistën e sotme në ABCNeës dhe do kuptoni se përse Dritan Leli i ka ndarë rrugët me Partinë Socialiste.

Njësoj sikurse Partia Demokratike dhe drejtuesi i saj politik në Vlorë Bujar Leskaj, edhe Dritan Leli nuk sheh meritë të Edi Ramës në projektet që po zbatohen në qytet. Referuar një prej investimeve kryesore, atij të Lungomares, Leli thekson se ai është një investim i Bashkimit Evropian.

“Këtu ku jemi. Një nga financuesit kryesore të këtij projekti kaq të rëndësishëm e kaq të përfolur është delegacioni evropian që ka ndihmuar dhe ka dhënë maksimumin jo vetëm këtu por dhe në projekte të tjera. Bajpasi i Vlorës është gjithashtu dhe ne kemi shkuar disa herë me ambasadorin soreka për të parë punimet dhe sot është një investim që është duke u frekuentuar nga qytetarët shqiptarë”, thotë Leli teksa shëtit në Lungomaren e rrezikuar nga degradimi pasi vuan mungesën e mirëmbajtjes nga Bashkia e Vlorës.

“U desh një nismë e madhe, një sërë faktorësh dhe një përkujdesje e jashtëzakonshme e Kryeministrit Edi Rama, falë të cilit ky projekt po merr jetë, po merr udhën e dëshiruar nga shumë breza”, deklaronte dikur Dritan Leli për Rrugën e Lumit të Vlorës. Por në intervistën e sotme teksa flet për rrugën, e gjen të pamundur të thotë se ajo është një investim dhe premtim i mbajtur i Kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

Nga intervista gati të krijohet përshtypja se Rruga e Lumit të Vlorës është ndërtuar për meritën e Dritan Lelit pasi është me origjinë nga Kuçi.