Këngëtarja e famshme botërore Dua Lipa, e cila prej ditës së djeshme ndodhet në tokën shqiptare, i është bashkuar nismës së Bashkisë së Tiranës, “Adopto një Kopësht”.
Ajo ka përzgjedhur Kopshtin numër 42, i cili ndodhet në zonën e njohur si ish-Blloku, për të lënë një gjurmë në rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019, të cilit nuk i shpëtoi as kjo godinë.
Menjëherë pas pritjes në zyrën e kreut të Bashkisë, Dua Lipa së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj vizituan ambientet e këtij kopshti, për të parë nga afër punën për rindërtimin e tij, pas të cilës do të nisë edhe projekti i këngëtares për transformimin edhe të këtij kopshti në një kopsht me standarde europiane.
“Kemi zgjedhur një kopësht që është m’u në zemër të Tiranës. Do ketë 300 fëmijë. Shpresoj të bëhen të gjithë të suksesshëm si ty dhe të shkëlqejnë, sepse unë besoj që kur fëmijët rriten mirë mund të bëhen qytetarë të mirë. Dua është sot artistja më e famshme në botë, por mbi të gjitha është një vajzë e mirë. Nuk mjafton vetëm të jesh artist i mirë, – ne kemi pasur plot artistë të mirë, duhet të jesh edhe një njeri i mirë. Dua është një njeri i mirë. Sot ka adoptuar këtë kopsht që ne do ta quajmë kopshti dhe çerdhja “Sunny Hill”, siç quhet fondacioni i saj, bashkë me dy miqtë me Kujtimin dhe me Arbenin. Janë dy djem me origjinë nga Shqipëria që kur ra tërmeti, me kërkesën e Duas dizenjuan një bluzë që njerëzit e blenë në internet si shenjë solidariteti dhe më atë fond ne do të bëjmë të gjithë mobilimin, lodrat, kuzhinën, të gjithë pjesën artistike dhe ne do ngrihemi më të fortë se ç’ishim kur u rrëzuam nga tërmeti,” u shpreh Veliaj.
Ndërsa këngëtarja e famshme u shpreh e lumtur që mund ta japë një kontribut në programin e rindërtimin, por mbi të gjitha ajo tha se ndihet krenare që është shqiptare.
“Më së pari, ju lumshin duart për gjithë punën që keni bërë. Kopshti ka për të qenë shumë i bukur dhe po ndihem shumë krenare që mund të marr pjesë “Sunny Hill Foundation” për këtë kopsht. Kismet të shohim më shumë gjëra të mira për vendin tonë. Jam shumë krenare që jam shqiptare,” u shpreh ndër të tjera Dua.