Një fotografi e publikuar nga Paulo Dybala ishte e mjaftueshme për t’i bërë tifozët e Juventusit të ëndërrojnë. Numri 10 bardhezi në fakt postoi një foto me mikun e tij, Paul Pogba, në Florida, Miami, ku po shijojnë pushimet e tyre. Të dy luajtën në Torino me fanellën e Juventusit për vetëm një vit, por kanë ruajtur një miqësi të madhe jashtë fushe, me mesfushorin e Manchester United që iu bashkua Dybala në plazhet e Miami, pas eliminimit të Francës së tij nga Kampionati Europian.
Nën postimin e argjentinasit vërshuan komentet e tifozëve. Shumë ëndërrojnë ta shohin çiftin te Juventusi sezonin e ardhshëm. Pogba del jashtë kontrate verën e ardhshme, ndaj “Djajtë e Kuq” janë të interesuar ta shesin e mos t’iu ikë falas, ose ta këmbejnë me ndonjë futbollist tjetër. U fol edhe për një shkëmbim mes francezit dhe Ronaldos, por duket se Manchester United nuk është i interesuar për kthimin e portugezit.