Edith Harxhi nuk u zgjodh në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Diçka që nuk e habit, sepse sipas saj vetë ajo nuk ishte pyetur.
“Unë vetë nuk jam pyetur a dëshiroja të isha në atë listë, sepse Basha luan me emra njerëzish, një lojë e paracaktuar që nuk është hera e parë që ndodh. Basha nuk mund të fajësojë asnjërin për masakër elektorale, për sa kohë nuk garanton zgjedhje të lira brenda partisë”, thotë ish-zëvendësministrja e Jashtme, pjesë e “Grupit për PD” që refuzon lidershipin e Lulëzim Bashës pas humbjes së 25 prillit. “Kryetari është ilegjitim, kam ngritur një padi civile në qershor për çështjen e listave, sepse janë hequr të paktën 28 mijë anëtarë. Për këtë arsye nuk besoj në asnjë lloje numërimi, edhe për Këshillin Kombëtar”. Harxhi, në një intervistë për A2, e cilësoi Kuvendin demokratik të sapo mbyllur si i “papërcaktuar, nuk dihej a ishte i jashtëzakonshëm, apo statusor, nuk kishte asnjë urgjencë”, edhe pse ajo ka një ide të qartë.
“Objektivi i vetëm ishte fshirja e zërave kundër. U kuptua mirë nga fjalimi i zotit Bardhi, me sugjerimet e disa grupeve lobiste në PD, i njëjti që thanë se do të fitonte Partia Demokratike”, deklaroi Harxhi.