Në Tiranë u mbajt sot takimi i grupit tematik për bujqësinë dhe zhvillimin rural në zbatim të instrumentit të Menaxhimit të Politikave të Integruara (IPMG). Në takim merrnin pjesë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe komunitetit të donatorëve që kontribuojnë në zhvillimin e këtij sektori. Takimi u bashkërendua me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë.

Ministrja Milva Ekonomi bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi prioritetet dhe objektivat e MBZHR-së për arritjen e qëllimit kryesor në zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri. “Gjatë diskutimeve, folëm mbi ecurinë e punës në hartimin e Strategjisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Peshkimit për vitet 2021-2027, situatën aktuale të regjistrit të fermës dhe mundësitë e përmirësimit të tij. Shkëmbyem ide mbi sistemin e FADN-ve dhe metodologjinë e krijimit të tyre. Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe ajo e sigurisë ushqimore dhe projektet që po realizohen me mbështetjen e BE, me fokus kujdesin ndaj konsumatorëve sipas direktivave europiane”, informoi ministrja.

Në takim, ministrja po ashtu theksoi se objektiv mbetet edhe trefishimi i eksporteve të prodhimeve bujqësore shqiptare deri në 2025. Ndërkohë në takim u diskutua edhe mbi ecurinë e projekteve aktuale me mbështetjen e donatorëve për këtë sektor, si dhe mbi iniciativat e reja në përputhje me prioritetet e Qeverisë Shqiptare.

“Bashkërendimi i ndihmës së huaj përmes të gjithë donatorëve, që mbështesin sektorin është një element thelbësor, që do të sjellë përmirësimin e punës dhe do të planifikojë ndërhyrjet për një zhvillim të qëndrueshëm”, tha Ekonomi.