Anëtari i kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli ka reaguar pas deklaratave të bëra sot nga ambasadorja Yuri Kim, pas takimit me kryedemokratin Basha. Kadilli shkruan se kreu i PD-së Lulzim Basha u vendos sot me shpatulla pas muri nga ambasadorja e SHBA Yuri Kim, ndërsa kjo e fundit kërkoi që Basha të distancohej nga Sali Berisha i shpallur “non grata”.
Kadilli thotë se është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me kërkesat e SHBA. Mes të tjerash Kadilli ka shtuar se mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i Bashës por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me Shqipërinë, SHBA dhe demokracinë.
Postimi i plotë:
Është e tu rpshme që kryetari i Partisë Demokratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është.
Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike.
Është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karrigen, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA. Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me Shqipërinë, SHBA dhe demokracinë.
Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja.