Drejtoresha e ISHP, Albana Fico, tha në një lidhje me “Skype” në rubrikën “Opinion”, në News24, se akoma nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Delta në Shqipëri.
Sipas Ficos, ka pasur disa sinjale të pazakonta, por që pritet dërgimi i mostrave në laboratorin gjerman për të zbuluar të vërtetën, raporton “BalkanWeb”.
“Të gjithë variantet e reja tregojnë një fytyrë, e cila mund të jetë më e rrezikshme ose më pak e rrezikshme. Delta është 40-60% më i transmetueshëm. Një person i infektuar me Delta mund të infektojë 3-4 persona, ndërkohë që me variantet e tjera ishte 1-2 persona. Kjo na bën të kuptojmë që personat që nuk janë vaksinuar, ose ata që kanë marrë një dozë, kanë një risk më të lartë se të tjerët për t’u infektuar. Sa i përket qarkullimit të Deltës në Shqipëri, kemi artikuluar që prej javës së shkuar faktin që kemi sinjale të pazakonta në ISHP nga mostra, që vijnë dhe përpunohen te ne. Është e rëndësishme ta themi këtë, sepse këtu është gjeneza e dyshimit të arsyeshëm. Tani që po flasim nuk kemi të identifikuar në ISHP një rast të tillë. Ka pasur mostra me sinjale të pazakonta, që janë grumbulluar për t’u dërguar në laboratorin e referencës në Gjermani”, tha Fico.
A na mbrojnë të gjitha vaksinat nga variantet? Cila na mbron më shumë e cila më pak?
Sa i përket vaksinimit, sot që flasim kemi mbi 1 milion doza të aplikuara. Kjo na tregon se ka një ecuri shumë të mirë të vaksinimit në Shqipëri. Si fushatë vaksinimi po shkon shumë mirë. Këto janë ditë tejet të nxehta dhe ka pasur një vështirësi për të ardhur. Ne po bëjmë dhe ato që i kemi quajtur vaksinime në komunitet, përmes njësive lëvizëse. Do të kemi sërish ditë të hapura vaksinimi në vijim. Çështja e vaksinave lidhet direkt me efikasitetin e tyre.
Shqipëria, përmes ISHP, është pjesë e një studimi për efektivitetin e vaksinës te punonjësit shëndetësorë. Kështu ne kemi marrë mostrat e gjakut të personave për të studiuar prevalencën. Çdo vaksinë ka një përqindje të caktuar njerëzish, që ndërtojnë një imunitet të matëshm në trajtën e antikorpeve. Imunitet nuk është i përbërë vetëm nga krijimi i antitrupave. 83.9% këta njerëz nuk bëjnë sëmundje dhe nuk ballafaqohen me hospitalizim dhe vdekje. Ka dhe raste të veçanta, kur vaksina nuk është efektive dhe kjo nuk është vetëm për vaksinat e Covid-it. Edhe sikur të gjithë do ta bëjnë vaksinën, jo të gjithë do ta ndërtojnë imunitetin, ama janë të mbrojtur.
A është i mbrojtur më shumë një që ka bërë Pfizer, se sa një që ka bërë Sinovac?
Jo, absolutisht nuk e bëjmë këtë dallim ne. Këto janë qasje populiste. Imuniteti është një, efektiviteti i vaksinave është i matshëm dhe ne do t’i dimë pas studimeve. Flitet shumë për problematika të furnizimit me vaksina, por deri më sot studimet po tregojnë se këto vaksina janë efektive në mbrojtjen nga Sars Cov 2. Nëse dikush e nxori një vaksinë, ka bërë shumë studime. Të mos harrojmë se në shumicën e vendeve nuk ka një vaksinë të vetme, por janë 2-3 apo më shumë vaksina që aplikohen. Unë personalisht njeriut tim më të shtrenjtë, nënës sime, nuk kam zgjedhur t’i bëj Pfizer, por një vaksinë tjetër.
Pa asnjë hezitim nënës sime i kam thënë këto që ju thashë juve dhe është lehtësisht e provueshme që ajo nuk ka bërë Pfizer. E kontestoj faktin që duhet zgjedhur Pfizer. Është provuar që dy doza të një vaksine e menaxhojnë shumë mirë variantin Delta. Para se të vija këtu, pata rastin të konsultoj një dokument të rëndësishëm të CDC, ku thuhet se kryerja e vaksinës me dy doza është shumë e rëndësishme për të parandaluar sëmundshmërinë nga variantet e reja. Delta klasifikohet si një variant që përbën rrezik, pra është një variant që mund të krijojë shpërthime, të cilat mund të çojnë te një transmetim më i gjerë.
A mund të shkojmë ne në rimbyllje?
Masat ndjekin situatën, jo ne marrim masa rimbylljeje, në mënyrë që të parandalojmë situatën. Ne kemi marrë masa të moderuara. Kërkohet që ne të njohim situatën, në të cilën jemi, të vaksinohemi, të bëjmë me rregull dozat, dhe aty ku çalojmë është fakti se kemi disa masa, që kemi orën 00:00, që duhet të mbajmë maskën ku ka grumbullime. Adresimi i menjëhershëm i disa masave është shumë i rëndësishëm. Nuk e dëshiroj të vlerësojmë situatën e një mbylljeje. Natyrisht që do të ketë një përballje me viruset në mes të vjeshtës dhe dimrin, por nuk besoj se do të pësojmë një amplitudë.