Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi bashkë me kryetarin e Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu dhe me zv.ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Roral Kristo, firmosën kontratat e para me pronarët e anijeve të peshkimit që u shpallën fitues të Thirrjes së dytë të granteve të projektit “Fishing Blue”, me mbështetjen e BE.

Programi synon të ndihmojë të gjithë aplikantët fitues për të realizuar investime në anijet e tyre të peshkimit lidhur me lundrimin dhe sigurinë në det, dhomat frigoriferike, rrjetat e peshkimit dhe motorrët e rinj.

“65 anije peshkimi u shpallën fituese në thirrjen e parë të projektit “Fishing Blue”. Ndërsa thirrja e dytë, ishte thirrje që u ra dakord me BE-në, për ta hapur në ndihmë të peshkatarëve në të gjithë bregun tonë”- tha Ekonomi.

Përmes projektit “Fishing Blue”, BE jep një mbështetje grant prej 1,4 milionë euro, në mbështetje të përmirësimit të menaxhimit dhe mbrojtjes së burimeve të peshkimit në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së.

Ekonomi tha se “eksporti i produkteve të peshkut dhe peshkimit është rritur dhe mundësitë për ta shtuar janë të mëdha. Ne në këtë 3- vjeçar jemi angazhuar që do të trefishojmë eksportet dhe kontributi i peshkimit patjetër që do të jetë shumë i lartë. Ndaj dhe mbështetja e qeverisë për këtë sektor do të vijojë”.

“Në janar të vitit që vjen do të ngremë një skemë kombëtare për të ndihmuar peshkimin”- theksoi Ekonomi.

Ndërsa kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu tha se, “janë shumë familje që mbahen me peshkimin dhe peshkimi është një traditë e hershme në Lezhë e cila sa më shumë që të ndihmohet aq më shumë rrit eficensën pozitive. Lezha sot falë edhe peshkimit është në majat e kulinarisë së vendit”.

“Sipërmarrësit e peshkimit do të jenë bashkë menaxher të sektorit dhe përfitues të mbështetjes së projekteve të qeverisë, për tu zhvilluar edhe më shumë në ardhmen ky sektor- u shpreh Nderu.