Bizneset të cilat kanë detyrimin të përfshihen në procesin e Fiskalizimit prej datës 1 korrik, por që ende vijojnë të përdorin sistemin e vjetër të faturimit, do të mund të përdorin dokumentacionin tatimor ekzistues deri në fund të muajit gusht.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi sot tatimpaguesit se përdorimi i dokumentacionit tatimor ekzistues do të vijojë deri në datën 31 gusht, ndërsa tërheqja e këtij dokumentacioni pranë drejtorive rajonale, ku ata janë të regjistruar, do të mund të kryhet deri në datën 15 gusht.
“Inkurajojmë të gjithë tatimpaguesit, që kryejnë transaksione shitjeje pa para në dorë kundrejt tatimpaguesve të tjerë dhe nuk e kanë përshtatur ende infrastrukturën e nevojshme për procesin e Fiskalizimit, të kryejnë menjëherë procedurat e duhura, pasi me hyrjen në fuqi të fazës së dytë të Fiskalizimit, prej datës 1 korrik 2021, kanë detyrimin ligjor për t’i fiskalizuar këto transaksione”, bën të ditur DPT-ja.
Këta tatimpagues do të vijojnë të përdorin dokumentacion tatimor të shpërndarë nga DRT e juridiksionit dhe do të asistohen nga punonjësit e administratës tatimore në vendushtrimin e aktivitetit, me qëllim plotësimin e detyrimeve ligjore përgjatë periudhës të parashikuar nga Akti Normativ “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
Sipas DPT-së të gjithë tatimpaguesit të cilët rezultojnë me zbatim efektiv të procesit të Fiskalizimit do të lëshojnë vetëm fatura të fiskalizura, por nëse do të kenë probleme do të pajisen me dokumentacion tatimor në DRT e juridiksionit.
Gjithashtu DPT informoi se për efekt të njohjes së shpenzimeve faturat tatimore të lëshuara do të vijojnë të njihen për rastet kur zbatimi i procesit të Fiskalizimit nuk është zbatuar për shkaqe të pavaruara nga tatimpaguesit.
Nga 1 korriku nisi faza e dytë e Fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë mes subjekteve. Në këtë fazë përfshihen 34 mijë subjekte.