Vijojnë të mbeten të larta numri i hyrjeve-daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në pikën e kalimit kufitar të Qafës së Thanës.

Burime pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit bënë me dije se në këtë pikë kalimi që lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut janë përpunuar gjithsej gjatë 24 orëve të fundit 6357 dokumentacione shtetasish shqiptarë dhe të huaj. Numër ky që për të disatën ditë mbetet i lartë në këtë pikë kalimi.

Të njëjtat burime tregojnë se në hyrje nga Maqedonia drejt vendit tonë kanë kaluar 3624 shtetas, ndërsa në dalje 2733. Kjo pikë e kalimit kufitar vijon të punojë me kapacitet të plotë për të shmangur krijimin e radhëve të gjata të pritjes për shkak të fluksit të lartë.

Nga ana tjetër, duket se janë shtuar lëvizjet në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, pas hapjes së kësaj të fundit në të dy krahët nga pala greke.