Nga Alfred Peza/ Përfundimi edhe i seancës së fundit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Shqipërisë, që u mbajt këtë të mërkurë të 7 korrikut 2021, mundëson të evidentosh disa veçori që e shënjuan atë. Ky mandat 4-vjeçar i Parlamentit, që nisi në shtatorin e 2017 pas zgjedhjeve të 25 qershorit, është unikal për nga tërësia e ngjarjeve politike që e zhvilluan. Koha tret shumë zhvillime përgjatë rrjedhave të sas, por e sigurtë është që ky mandat, do të mbetet përgjithmonë një kryeleksion demokracie për shumëkënd.

I tillë ai mbeti deri në minutën e fundit, kur një nga aktorët më të rëndësishëm të skenës, Gramoz Ruçi u largua me dëshirën e tij si rrallëkush në historinë e politikë shqiptare mes duartrokitjesh, luleve dhe “shampanjës”. Ndërkohë që Sali Berisha, politikani që dominoi 30 vjet me radhë kahun e kundërt të skenës politike shqiptare, nuk pranon të iki as tani që është gozhduar në shtyllën e turpit pasi u vu në krye të listës së zezë të SHBA.

Tani që perdja e skenës ra, shumëkush ka mundësi ti bëjë rezymenë shfaqjes së madhe, ku u luajt akti i fundit i tranzicionit postkomunist. Ky popull e ky vend kanë parë shumë, por ato që ndodhën në 48 muajt e fundit treguan se nuk kishim parë vërtetë gjë akoma, duke na dhënë mësime të vyera për të ardhmen. Ata që do dinë ti lexojnë ato siç duhet, do ia dalin të nxjerrin mësimet, për tu orientuar nëpër labirinthet gjithmonë e më të sofistikuara të së ardhmes.

E para, mësimi Nr. 1 që mori jo vetëm opozita por e gjithë klasa politike gjatë këtij mandati, është se pushteti në sistemin pluralist, meret vetëm përmes votës së qytetarëve në procese elektorale.

Konkluzioni: Kurrë mos i bojkoto zgjedhjet, sepse pushteti nuk meret asnjëherë në tavolinë.

E dyta, lufta politike për rikthimin në pushtet, zhvillohet vetëm në Parlament dhe institucionet kushtetuese të vendit, përmes rregullave të shkruara e normave pashkruara të sistemit demokratik.

Konkluzioni: Kurrë mos i digj mandatet e deputetit, të dhëna nga populli, për interesa personale.

E treta, revolucionet nuk mund të injektohen kurrë artificialisht nga lart, për shkak të halleve të elitës së vjetër e të korruptuar të vendit, por vetëm nga populli që në fund çon në rrëzimin e saj nga pushteti.

Konkluzioni: Në shoqëritë demokratike, populli është i pamanipulueshëm, ndaj nuk të ndjek kot pas.

E katërta, Republika e re e Lulzim Bashës paska qenë “Republika e Kryeprokurorit” Adriatik Llalla, e cila nuk mund ta ndalte dot rrotën e historisë, për të mos ndëshkuar zullumet 30 vjeçare të liderëve politikë.

Konkulzioni: Drejtësia e vjetër u shemb, kohët po ndryshojnë, një sistem i ri po lulëzon gërmadhash…

E pesta, nëse opozita nuk e ndërton aksionin e saj për tu rikthyer në pushtet, mbi kauza të drejta që zgjidh hallet e shqiptarëve dhe mbi projekte që çojnë përpara vendin, nuk rikthehet dot në pushtet.

Konkluzioni: Halli personal i Berishës, Bashës, Metës dhe Kryemadhit nuk janë edhe të Shqipërisë.

E gjashta, shqiptarët nuk mund të rikthejnë dot në pushtet, një ekip drejtues, të ndëshkuar njëherë me votë në zgjedhjet e 2013. Për tu bërë mazhorancë, nuk mjaftojnë vetëm 8 vite pritje në opozitë.

Konkluzioni: Nuk ka asnjë rregull në demokraci që një mazhorancë fiton vetëm dy mandate radhazi.

E shtata, Presidenti i Republikës është garanti i të gjithëve dhe jo palë me opozitën. Kryetari i Shtetit është përfaqësues i unitetit të shqiptarëve dhe jo vetëm i popullit opozitar e i partisë së tij familjare.

Konkluzioni: Ilir Meta smund të bënte gjithçka, përveçse të zbatonte Kushtetutën, e të mos shkarkohej.

Këto janë vetëm shtatë nga shumë mësime, që demokracia mundi të na mësonte përmes sfidave të saj, në këto 4 vjet. Ato nuk mund të zhbëhen, edhe nëse ia del të blesh media apo të paguash pafund për një propogandë të shfrenuar dhe agresive. Sepse në fund të fundit, mësimi që historia i ka dhënë liderëve politikë, është i njëjtë kurdo: Budallenj janë ata, që mendojnë se qytetarët që i votojnë, janë budallenj!