Rimëkëmbja ekonomike globale është në rrezik nga përhapja e varianteve të reja të koronavirusit dhe qasja e pamjaftueshme e vaksinave në vendet në zhvillim, paralajmëruan të shtunën ministrat e financave të 20 ekonomive më të mëdha në botë.
Në takimin e G-20-së në Venecia të Italisë – i pari ku ministrat marrin pjesë fizikisht që nga fillimi i pandemisë – u miratua gjithashtu një vendim për të ndaluar kompanitë ndërkombëtare që të dërgojnë fitimet në parajsat fiskale me taksa të ulëta.
Kjo u hap rrugën udhëheqësve të G20-ës që të finalizojnë një normë të re globale të taksës minimale të korporatave prej 15% në një takim të nivelit të lartë në Romë në tetor, një veprim që mund të rikuperojë qindra miliarda dollarë për arkat publike të dobësuara nga kriza e COVID-19.
Në një deklaratë përfundimtare thuhej se perspektiva ekonomike globale ishte përmirësuar që nga bisedimet e G-20 në prill falë shpërndarjes së vaksinave dhe paketave të mbështetjes ekonomike, por pranohet fakti se situata është e brishtë për shkak të varianteve si Delta që përhapen me shpejtësi.
“Rimëkëmbja karakterizohet nga hendeqe të mëdha mes vendeve dhe brenda tyre dhe mbetet e ekspozuar ndaj rreziqeve, në veçanti përhapjes së varianteve të reja të virusit COVID-19 dhe ritmeve të ndryshme të vaksinimit,” thotë deklarata.
“Ne riafirmojmë vendosmërinë tonë për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për aq kohë sa duhet për të përballuar pasojat e COVID-19”, vazhdon më tej ajo, duke theksuar që ato duhet të jenë në përputhje me ruajtjen e stabilitetit në çmime dhe financat publike.
Megjithëse dokumenti thekson mbështetjen për “ndarjen e drejtë globale” të vaksinave, aty nuk propozohen masa konkrete, thjesht përmendet një rekomandim për 50 miliardë dollarë financim për vaksina shtesë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Tregëtisë.
Dallimet në nivelet e vaksinimit mes të pasurve dhe të varfërve në botë mbeten të thella. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e ka quajtur hendekun një “turp moral” që minon përpjekjet më të gjera për të zbutur përhapjen e virusit.
Ndërsa në disa nga vendet më të pasura mbi dy të tretat e qytetarëve kanë marrë të paktën një doze vaksine, kjo shifër bie nën 5% për shumë vende afrikane./VOA