Është mbyllur procesi i radhës drejt plotësimit me 60 anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sot është përmbyllur faza e korrigjimit të esesë dhe përzgjedhjes së kandidatëve, për fazat e mëtejshme të konkurrimit.
163 kandidatë janë kualifuakur për fazën tjetër dhe tashmë do ti nënshtrohen Intervistës. Vendi, data dhe ora e zhvillimit të Intervistës dhe udhëzime të hollësishme do tu bëhen të ditura në njoftim të më vonshëm, në website-in e BKH-së.
“Korrigjimi i Eseve u zhvillua nën vëzhgimin dhe monitorimin e Komisionit Ndërkombëtar të Ekspertëve, të caktuar nga misionet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian në Shqipëri. Falënderojmë gjithë aplikantët që shprehën vullnetin për të marrë pjesë në këtë konkurrim”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Rrugëtimi i hetuesve të BKH fillon me procesin e përzgjedhjes gjatë përfshin teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës.
BKH është një i institucion i ri i dalë nga reformën në drejtësi dhe është pjesë e SPAK për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Aktualisht BKH ka 28 hetues, nga 60 që duhet të jenë në total. 28 hetuesit e BKH-së zhvilluan në Romë trajnimin intensiv dhe të specializuar nga DIA italiane (Drejtoria e Antimafias) për luftën ndaj krimit dhe korrupsionit.