Të rinjtë shqiptarë do të mbështeten për t’u futur në tregun e punës, përmes programit të Garancisë Rinore, një qasje e re e Bashkimit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bën të ditur se përmes programit synohet ndërhyrje e hershme me masa për uljen e braktisjes së shkollës dhe aftësim i të rinjve për tregun e punës.

“Me krijimin, zbatimin dhe përmirësimin gradual të skemave, në 4 faza, gjatë periudhës 2021-2027 do të bëhet e mundur mbështetja e të rinjve të regjistruar apo jo në shërbime punësimi për trajnim, aftësim dhe punësim”, u shpreh Denaj.

Garancia, thekson ajo, do të mundësojë edhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me politikat e BE-së, si pjesë e procesit të integrimit.

Sipas INSTAT-it, gjatë tremujorit të parë vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 50,7 %, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 23,3 %.

Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 70,1 % të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë.