Gjermanët që kthehen nga udhëtimet e pushimeve verore jashtë vendit do të përballen me rregulla të reja të testimit për COVID-19, duke filluar nga e diela, njoftoi sot Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn. “Të gjithë personat e pavaksinuar, të cilët hyjnë në Gjermani, do të duhet t’u nënshtrohen testeve, pavarësisht nëse mbërrijnë në vend në rrugë ajrore apo hekurudhore”, tha Spahn.
“Në këtë mënyrë, ne do të zvogëlojmë rrezikun për të sjellë infeksione shtesë”, shtoi ai.
Kabineti pritet ta miratojë masën sot, së bashku me një klasifikim të ri të rajoneve me rrezik global. Masa do të prekë veçanërisht më të rinjtë, shumë prej të cilëve ende nuk janë vaksinuar plotësisht. Nga e diela, të gjithë fëmijët nga mosha 12 vjeç e lart duhet të konfirmojnë se rreziku i transmetimit të COVID-19 prej tyre është i ulët, duke treguar se janë vaksinuar, janë shëruar nga virusi ose që testi u ka dalë negativ.