Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi që Fjolla Morina të qëndrojë 40 ditë në paraburgim me dyshimin për trafikim me armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit. Masa e paraburgimit do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar. Ky vendim do të jetë në fuqi deri në një vendim të radhës, që mund të jetë ekstradimi në Shqipëri, duke qenë se këngëtarja është e kërkuar nga autoritetet shqiptare.
Mirëpo i çuditshëm është fakti se Fjolla ka bërë më herët një postim sot në rrjete sociale. Këngëtarja ka publikuar në Facebook një foto të saj nga pushimet, në të cilën shihet duke mbajtur në krahë vajzën e vogël, Alyah. Ajo ka vendosur mbi foto ditën dhe orën e saktë, duke lënë vend për shumë dyshime.
Jo vetëm kaq. Së fundmi ajo ka lënë gjithashtu një koment nga po e njëjta llogari në Facebook, ku shpërthen në lajmet e publikuara për të.
“Cfarë gënjeshtrash ju portalet”- shkruhet në koment ndërsa njerëzit po dyshojnë nëse është vërtetë Fjolla që e përdor këtë llogari.
Fjolla Morina u arrestua në dyqanin e saj në Prishtinë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 21 prill 2021, një muaj pasi gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.
Kjo vjen si pasojë e arrestimit të saj vitin e kaluar në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri, ku ajo u kap me dy armë në makinë, teksa shoqërohej edhe nga bashkëshorti i saj, Fisnik Syla e një person i tretë.
Ndërkohë avokati i saj, Fanol Krasniqi, e përshkroi arrestimin e Fjollës si çnjerëzor.
“Fjolla Morina është arrestu në mënyrën më çnjerëzore të mundshme, pasi që te njejtes i dihet adresa e banimit, madje e njejta ka edhe nenshtetesi. Fjolla Morina nuk është thirrë paraprakisht që të intervistohet apo ti tregohet arsyeja e arrestimit. Ajo është arrestu para të gjithë lagjes.Ajo nuk pranoi asnjë urdheresë. Vetëm verbal “Kemi urdhëresë prej shtetit të Shqipërisë se është kërku ekstradimi për veprën të cilën je shpall fajtor”, u shpreh avokati i këngëtares gjatë një intervistë.