Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka komentuar në lidhje me aksionet e fundit të SPAK ku janë arrestuar disa ish zyrtarë, siç ishte ish-kreu i bashkisë Lushnje, Fatos Tushe dhe ish-zëvendës ministrja Voda.
Përsa i përket arrestimeve, Balla është shprehur se PS nuk mban përgjegjësi për asnjë nga personat që kanë hesape personale me drejtësinë.
“Kur ne kemi mbështetur prej ditës së parë reformën në drejtësi, ka qenë bindja jonë që institucionet e reja të reformës në drejtësi duhet të godasin këdo që shkel ligjin dhe që shpërdoron financat publike të këtij vendi. PS ka vendosur një standard që uroj dhe u bëj thirrje të gjitha forcave të tjera politike të bëjnë të njëjtën gjë.
Fatos Tushe nuk është më pjesë e Partisë Socialiste, ka detyrimin ligjor të bëjë një betejë të tijën ligjore dhe ndërkohë që edhe zonja në fjalë që ju i referoheni sepse këtë standard ne e kemi vendosur prej shumë kohësh dhe PS nuk ka asnjë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për çdo person i cili këtë betejë dhe këtë hesap e ka personal me drejtësinë.
Ju mund të jeni në dijeni që këto ditë kanë qenë dhe dy kryetarë bashkish, nga LSI dhe nga PD në hesapet e drejtësisë, që një u dënua dhe tjetri në hetim dhe dallimin mund ta bëni shumë thjeshtë. Reagimi i PS gjithmonë do jetë i njëjtë.
PS nuk mund të bëhet pis nga asnjë individ që në një moment të caktuar ka marrë një mandat përfaqësimi nga PS. Përgjegjësia është vetëm personale dhe kemi besuar dhe besojmë dhe jemi shumë krenarë që kemi çuar përpara reformën në drejtësi dhe të gjithë ata që kishin aludimet ‘ç’po bën SPAK-u’ apo’ si po reagon drejtësia e re’, tani të shohin rezultatet.
Ky është vetëm fillimi i një procesi goditje të çdo lloj fenomeni dhe kryeministri ka qenë shumë i qartë në këtë aspekt“, është shprehur Balla.