Greqia do të zgjerojë fushatën e saj të vaksinimit kundër COVID-19 edhe te moshat 12-15 vjeç në gusht, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, duke theksuar se ai do të jetë me dëshirë. SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia e kanë miratuar tashmë vaksinimin për këtë grupmoshë. “Platforma për të miturit midis 12 dhe 15 vjeç do të hapet më 30 korrik”, tha Marios Themistokleous, sekretari i përgjithshëm i Shëndetësisë, në një konferencë shtypi.

Nga ana e saj, Maria Théodoridou, presidente e komisionit të vaksinimit në Greqi, theksoi se kohët e fundit kishte “një rritje të konsiderueshme në rastet e infektimit të fëmijëve dhe adoleshentëve”. “Infektimi i vazhdueshëm i fëmijëve do të çojë në shfaqjen e varianteve të reja të COVID-19”, shtoi ajo.

Vendimi për të vaksinuar të miturit mbi 12 vjeç u mor ndërsa Greqia po përjeton një rritje të mëtejshme në numrin e rasteve të COVID-19 dhe veçanërisht për shkak të variantit Delta.