Marrëdhëniet mes Kajros dhe Tiranës do të marrin një impuls të ri pas zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thotë ambasadori egjiptian në Tiranë, Mohamed Heider, në një shënim me rastin e 69-vjetorit të Revolucionit të 23 Korrikut të vitit 1952, që ka shërbyer si një pikë referimi në historinë moderne të vendit dhe ku parimet dhe vlerat e tij u bënë burim frymëzimi global.
“Egjipti modern po dëshmon një proces të thellë transformimi dhe modernizimi ekonomik me nisjen e mega projekteve në të gjithë sektorët e ekonomisë duke krijuar programe të suksesshme të projektuara sipas parametrave dhe përparësive kombëtare, të cilat jane vlerësuar shumë nga organizatat ndërkombëtare”, shton ambasadori Heider.
“Vlen të përmendet se Egjipti dhe Shqipëria ndajnë një rrugë të gjatë historike dhe miqësie. Egjipti do të jetë gjithmonë krenar për komunitetin shqiptar që u zhvendos atje në shekullin XIX dhe kontribuoi pozitivisht në rilindjen dhe përparimin e tij”, thekson ai.
“Marrëdhëniet e forta që lidhin dy vendet mbështeten edhe mbi shumë aspekte që i konsolidojnë ato, veçanërisht në kohët moderne, pasi të dy vendet luajnë një rol konstruktiv në rajonet e tyre përkatëse duke shërbyer si gur themeli për sigurinë, stabilitetin dhe integrimin rajonal”, shton ambasadori Heider.
“Është kënaqësi kur shikon koordinimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm e të frytshëm midis të dy vendeve, që sigurisht do të marrin një impuls tani që Shqipëria është zgjedhur anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB. Egjipti dhe Shqipëria me një histori të gjatë mbi supe dhe një vendndodhje të shkëlqyeshme gjeografike mund të shërbejnë për njëra-tjetrën si ura drejt dy rajoneve”, nënvizon ai.
“E ardhmja do t’i bashkojë njerëzit më shumë përmes biznesit, tregtisë dhe turizmit, që tashmë është duke parë një zhvillim tepër të madh’’, përfundon ambasadori egjiptian në Tiranë, Mohamed Heider.