Xhensila Myrtazaj ishte së fundmi e ftuar në emisionin “E ardhmja është vajzë”, në ABC News. Ajo rrëfeu një ndër periudhat më të vështira të jetës së saj, e cila lidhej me Koronavirusin.
“Një moment i vështirë që unë kam kaluar ka qenë i këtij viti dhe lidhet me Covidin. Nuk kuptoja çfarë kishte vajza. Kishte temperaturë gjatë gjithë kohës dhe nuk i ulej. I bëj të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe doli që vajza nuk kishte asnjë simptomë të tipit virozë, nuk kishte infeksione. E kuptova kur më iku mua nuhatja, më kishte dhënë disa simptoma. Që në momentin e parë u transferova për në shtëpinë që kemi në Lalëz dhe u karantinuam aty së bashku me vajzën. Besi nuk ishte pozitiv sepse ne të dy i bëmë testet, Ajka ishte shumë e vogël dhe u kuptua aq gjë që e kishte Covidin. Besi bëri një sakrificë shumë të madhe, pavarësisht se nuk ishte pozitiv, erdhi dhe qëndroi me ne të dyja. Pasi vajza u shërua unë ndjeva që kisha simptomat e Covidit, probleme kisha dhe gjatë kohës kur isha sëmurë, por që nuk kisha kohë t’i mendoja, nuk kisha kohë të mendoja për veten. Pasi dolëm negativ, mendova se ia hodhëm. Gjatë kthimit nga Lalëzi, ishte ditë e dielë, ora 10 dhe unë kisha një parandjenjë që duhet të ikinim se të hënën kisha shumë punë që i kisha lënë në pezull, diku afër Vorës ndjej një goditje shumë të fortë në kraharor. Shtrëngova Besin për një moment dhe ai e ndjeu që unë kisha diçka pasi isha shumë e ftohtë. E vetmja gjë që mendova në atë moment ishte që kaq ishte për mua, më filluan të dridhura të pakontrolluara, oksigjeni iku pothuajse komplet. U gjeta përballë një situate që nuk e kisha përjetuar kurrë. Ne mendojmë gjithmonë se jemi të përjetshëm, e vetmja gjë që më erdhi ndërmend ishte “Zot, pse pikërisht tani që kam vajzën afër”, sepse Ajka është aq e rritur sa për të kuptuar se ç’po ndodh përreth. Po mundohesha ta menaxhoja situatën, por ishte totalisht e pamenaxhueshme. Falë Zotit ne ishim shumë afër Tiranës e mund të shkonim në spital. Shkuam në spital, na shërbyen, më bënë të gjitha ekzaminimet e nevojshme. Të dridhurat vazhdonin dhe unë thjesht i lutesha Zotit, më lër ta jetoj vajzën, ta jetoj Besin, të mos më humbasi mami mua sepse ka pasur një jetë shumë të vështirë. Fiks në ato momente nuk po mendoja veten, po mendoja njerëzit që dua, motrën…”, tregoi Xhensila.
Ajo shtoi se kardiologu i kishte thënë se kishte kaluar një atak paniku. “Dola që, pas gjithë analizave dhe ekzaminimeve të organeve jetësore, isha shkëlqyeshëm. Kardiologu më sugjeroi se është atak paniku, unë nuk kisha dëgjuar kurrë, nuk kam pasur kurrë probleme të shëndetit mendor dhe kjo lidhej me gjendjen emocionale”, tha këngëtarja.