Duke filluar nga dita e sotme e deri të premten, duket se na presin ditë ‘ferri’, sa i takon temperaturave të larta. Meteorologia Lajda Porja, në një lidhje me Skype për Report Tv, bën me dije se vendi ynë do të goditet nga një valë e të nxehtit afrikan, që pritet të sjellë në vend temperatura deri në 43 gradë.
Ditët më të nxehta janë parashikuar të jenë e mërkura dhe e enjtja, ndërsa një ulje të temperaturave do të sjellë fundjava, ku maksimumi pritet të shkojë deri në 39 gradë.
Sipas meteorologes, Berati dhe Elbasani do të jenë vendet më problematike, ku temperaturat do të arrijnë maksimumin deri në 43 gradë, ndërsa në Tiranë, Shkodër, Lezhë, Lushnjee Fier, temperaturat pritet të shkojnë në 41-42 gradë.
Më freskët do të jetë vija bregdetare, ku temperaturat nuk pritet të shkojnë më shumë se 40 gradë. Sipas Porjas, ky korrik është regjistruar si ndër më të nxehtët e 5 viteve të fundit.
“Një tjetër valë e të nxehtit Afrikan do të godasë një pjesë të mirë të Mesdheut dhe Rajonin, përfshirë dhe Shqipërinë. Kjo valë do të jetë nga shkretëtirat e Nigerisë, duke bërë që të presim temperatura shumë të larta. Në Shqipëri termometri pritet të shkojë edhe deri në 43 gradë në disa zona. Dita e mërkurë dhe e enjtja do të jenë më të nxehtat. Më problematike temperaturat do të jenë në qarkun e Elbasanit dhe Beratit, apo dhe Gjirokastra, ku temperaturat do të shkojnë deri në 43 gradë, apo edhe më lart. Ultësira Perëndimore, Shkodra, Lezha, Tirana, Lushnja, Fieri, këto zona do të jenë me temperatura 41-42 gradë. Më freskët, 39-40 gradë, përjashtuar Ksamilin ku do të shkojnë në 41 gradë, do të jetë vija bregdetare. Temperatura shumë të larta priten në Kukës e Has, ku priten temperatura deri në 40 gradë. Ky korrik do të cilësohet si një ndër më të nxehta të paktën të 4-5 viteve të fundit. Kjo valë do të qëndrojë pak më gjatë, të paktën deri të premten. Fundjava parashikohet të ulë termometrin deri në jo më shumë se 38-39 gradë”, tha meteorologia.