Nga Mero Baze

Më në fund u konfirmua që Presidenti ynë ka shkuar privatisht në SHBA bashkë me gruan e tij, me shpresë se do të gjejë një lobist të rregullojë raportet e tij me SHBA. Është e pazakontë si ngjarje, ndoshta në gjithë botën, që zyrtari më i lartë i një vendi, që ndërkohë është shkarkuar politikisht nga ajo detyrë, pikërisht pse ka futur vendin në konflikt institucional me SHBA, shkon në SHBA ta rregullojë këtë punë me lek.

Përveçse e pazakontë, kjo rrugë tregon shumë për atë si e përfytyron botën presidenti ynë.

Për të pasur raporte të mira me SHBA nuk ka nevojë për lekë. Mund të krijosh raporte të mira institucionale me ta, mund të trokasësh sa herë të duash në ambasadën e SHBA në Tiranë, mund të vizitosh SHBA sa herë të duash me ndihmën e tyre, thjesht dhe pa lek. Por për këtë duhet të jesh president normal, të udhëheqësh një politikë që garanton orientimin perëndimor të Shqipërisë, të respektosh ligjet e vendit tënd dhe të mos jesh aktori kryesor i destabilitetit të vendit.

Vajtja e tij privatisht në SHBA për “ta rregulluar këtë punë me lek në dorë”, tregon qartë se një politikan i korruptuar, mendon që gjithë bota mund të korruptohet, madje dhe politika zyrtare e SHBA, nëse e paguan. Dhe për këtë, në vend që të zgjedhë rrugën më të lehtë, më të lirë dhe më me dinjitet, zgjedh më të vështirën, më të përbuzurën dhe mbi të gjitha, atë rrugë që nuk i bën punë, duke shkuar të paguajë tek një lobist, a thua se do ti heqë xhindet dhe do ta qetësojë të mos shkojë të vritet në Malin me Gropa.

Lobizmi është industri fitimprurëse në SHBA, një industri që taksohet, që është transparente dhe që ka klientë politikanë problematikë, që mendojnë se mund ta blejnë fuqinë e SHBA me lek.

Ilir Meta është në pozitë dhe më të keqe. Ky po mendon se pasi i shpall luftë SHBA, pasi u tregon gjoksin si Allende, pasi u cakton dhe vendin ku do bëjnë duelin tek Mali me Gropa, pasi i relativizon si partnerë, me Rusinë dhe Korenë e Veriut, mendon që e gjithë kjo mund të zhbëhet me ca lek të paguara për një lobist.

Në fakt kjo ndoshta nuk do të kishte ndodhur, sikur partneri i tij në këtë projekt politik, Sali Berisha, nuk do ishte damkosur prej SHBA, si minues i demokracisë, shantazhues i sistemit gjyqësor dhe hajdut i parave publike familjarisht. Damkosja e Berishës e ka tronditur dhe tani mendon se këtë punë mund ta zgjidhë me lek. Mjafton vetëm ky fakt, dhe ai i provon SHBA zyrtare, më shumë se sa ja provojnë deklaratat e tij publike në Tiranë, apo akuzat ndaj tij, si i korruptuar. Kjo i tregon të gjitha, se si e mendon ai politikën, SHBA dhe mbi të gjitha blerjen e çdo gjëje në jetë. Përfshi dhe SHBA.