Mos caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Kryeministri i fqinjit tonë lindor Zoran Zaev e konsideron si të padrejtë për shqiptarët të penalizohen nga përplasja e shtetit që ai drejton me Bullgarinë.
Gjatë një interviste për “Deutche Ëelle” Zaev theksoi se Shqipëria nuk mund të mbetet peng i konfliktit dhe se i uron shqiptarëve sukses.
“Çdo shtet meriton të gjykohet nga rezultatet e tij. Edhe unë i uroj me vërtete fat fqinjit tonë perëndimor, Shqipërisë, të vazhdojë në atë rrugë nëse Bullgaria vijon të bllokojë procesin. Fqinji ynë meriton të vazhdojë në rrugëtimin e tij drejt Bashkimit Evropian dhe nuk është e drejtë që procesi të jetë i lidhur me shtete te tjera. Unë e besoj se të dy vendet është më mirë të gjykohen veçmas”, tha Zaev.
Ai tha se me krijimin e qeverisë së re në Sofje do të zgjidhen çështjet që kanë mbetur pezull.
Ky është hera e parë që Zaev e thotë hapur qëndrimin e tij që të ndahen dy vendet. Ai edhe më parë pati thënë se vendimi është shumë i pandershëm për të dyja vendet, por mbi të gjitha është shumë i pandershëm për Shqipërinë.
Kujtojmë se nga vendimi i Këshillit Europian për Shqipërinë nuk kishte asnjë kundërshti nga 27 vendet anëtare, por pengesë këtë herë u bë Maqedonia e Veriut pas vetos që i vendosi Bullgaria. Ndryshe nga konferencat e mëparshme, Shqipëria brenda dy viteve të fundit arriti të mposhte skepticizmin e disa vendeve anëtare të cilët konsideronin se Shqipëria nuk përmbushte kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit, por kësaj here ajo ishte kurban i probleme të Maqedonisë së Veriut.
Po pse Bullgaria po pengon Maqedoninë e Veriut? Qeveria bullgare ishte kundër konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar negociatat me qeverinë e këtij vendi. Bullgaria kërkon nga Maqedonia e Veriut të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë e saj. Madje u dëgjua edhe kërkesa për njohjen e gjuhës së vendit jo si maqedonishte, por si dialekt i bullgarishtes.