Tomor Alizoti, drejtuesi politik i Lulzim Bashës për qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit 2021, do jetë edhe një ndër deputetët e PD, në Kuvendin e ri, që do të konstituohet në shtator.

Alizoti u fut nga Basha në listat e sigurta në qarkun e Beratit në zgjedhjet e 25 prillit, duke siguruar kështu karrigen e deputetit.

Por, raportet mes kreut të Republikës së re, Lulzim Basha dhe deputetit të zgjedhur Tomor Alizoti, ndër vite kanë qënë mes “dashurisë dhe urrejtjes”.

Në vitin 2017, Luli ishte i keq, ndërsa në vitin 2021 qenka bërë i mirë, sepse i dha një karrige deputeti Tomor Alizotit.

Por, çfarë deklaronte për Lulzim Bashën, në vitin 2017, Tomor Alizoti.

Ky i fundit, në atë kohë nuk kursente akuzat për Lulzim Bashën, të cilit i kërkonte llogari për marrëveshjen e 17 majit me kryeministrin Edi Rama dhe pse i gënjeu demokratët duke i mbajtur për rreth tre muaj në çadër.

Pashë që Z.Basha ka dalë sërish të takojë qytetarët. Çfarë do tu thotë atyre që qëndruan denjësisht 90 ditë në çadër kur u ul e bëri marrëveshje me Ramën? Çfarë do tu thotë antikomunistëve për deputetët e tij të cilët votuan Ruçin? Mos vallë përgjegjës për të gjitha këto që ndodhen janë ata që mendojnë ndryshe? E djathta ka nevojë për shpresë-shkruante Tomor Alizoti, në një postim në rrjetet sociale, në tetor të vitit 2017.