Një nga çrregullimet më të shpeshta psikologjike është fobia, kryesisht ajo që psikologët e quajnë fobi specifike.

Psikologja Nereida Llaha shpjegon se Hidrofobia e thënë ndryshe frika nga uji, është një lloj fobie specifike e cila klasifikohet si fobi nga elementet natyrore.

Ajo shpjegon se Hidrofobia ashtu si çdo fobi tjetër shoqërohet me ankth të drejtuar nga mendimet negative automatike të cilat nxisin pasiguri, frikë të tejskajshme dhe reagime fiziologjike si frymëmarrje të shpeshtë, djersitje, marrje mendsh, dridhje trupi, tharje të gojës etj.

“Si reagim kundrejt këtyre simptomave, individi priret të shmangi kontaktin, qëndrimin, notin apo udhëtimin në rrugë ujore. Zakonisht kjo fobi zhvillohet nga përjetimi i ngjarjeve traumatike të lidhura drejtpërdrejt me hapësirat e mëdha ujore siç janë lumenjtë, liqenet, detet, pishinat etj.

Disa nga këto ngjarje traumatike mund të jenë, rrëshqitjet, fundosjet në thellësi, zhytjet e padëshiruara ose pa mendje, ngërçi i gjymtyrëve gjatë notimit, aksidentet ujore etj. Këto janë disa arsye kryesore, të cilat nuk i përjashtojnë arsyet e panjohura se pse një individ mund të preket nga Hidrofobia,” shton psikologja.

Kështu frika nga uji mund të ndërhyjë në jetën e atyre që vuajnë prej tij në mënyra të shumëfishta. Për shembull, njerëzit me hidrofobi që nuk bëjnë dush mund të kenë probleme higjienike dhe sociale, dhe ata që shmangin pirjen e ujit mund të dehidrohen, duke shkaktuar lodhje, dhimbje dhe probleme me zemrën.

Sipas psikologes vlen të përmendet që edhe faktorë të jashtëm si karakteri, mjedisi apo komuniteti ku individi ndërvepron kanë një ndikim të caktuar në shkallen e prekjes nga Hidrofobia.

“Duke qenë se jemi ne sezon plazhi, rëndom shohim prindër apo familjar të cilët tentojnë me forcë duke detyruar fëmijët e grup moshave të caktuara, të lahen në det. Disa nga format më të shpeshta janë hedhjet, tërheqjet me forcë derisa fëmija mes ulërimash të laget plotësisht. Ajo që është me e dhimbshme teksa e vesh këtë veprim, janë të qeshurat e tyre përball panikut dhe të qarave të fëmijëve,” shpjegon ekspertja.

Duke e lidhur këtë fenomen me vegjëlinë, psikologja shpjegon se edhe të rriturit gabojnë me fëmijët e tyre. Ajo shpjegon se nën petkun e forcës dhe zotësisë që i jep mosha, kryejnë lojëra në ujë me fëmijët, në mënyrë fare të beftë, si për shembull zhytja e kokës në ujë me forcë. Këto e të tjera, për shumë fëmijë të imponuar në këtë mënyrë, mund të shkaktojnë frikë dhe pasiguri te fëmija duke shkaktuar te ai pasiguri, frik, ankth deri në atakë paniku. Siç thotë edhe psikologja këto i shohim rëndom tek të rriturit shqiptarë dhe i anashkalojnë këto probleme tek fëmijët e tyre.

Në të kundërt ekspertja shpjegon se ka me qindra mënyra, të cilat duhet të ushqejnë siguri dhe besim tek fëmija për të provuar apo aftësuar në këtë eksperiencë.

“Situata të tilla të pakëndueshme mund të lënë te fëmija gjurmë aq të mëdha, sa që me kalimin e kohës, kjo frike e pa kaluar të rritet dhe të agravojë deri në fobi, e cila do ta shoqëroje atë për shumë gjatë deri në moshë madhore,” shton Llaha.

A mund të shërohet Hidrofobia?

Psikologja shpjegon hidrofobia si pjesë e grupit të neurozave ka një prognozë të lartë të shërueshmerisë. Pra, me ndërhyrjen e duhur frika racionale ose iracionale që shkakton Hidrofobinë, mund të trajtohet dhe individi t’i rikthehet funksionimit normal në aktivitete të lidhura me mjedisin ujor, si plazhi, sportet e ujit, udhëtimet në rruge ujore etj.
“Pothuajse çdo kush nga ne has një vështirësi të tillë në jetë. Por në momentin që kjo frike, na penalizon në funksionin tonë normal, është e rëndësishme dhe e nevojshme që të kërkohet shërbimi psikologjik,” thotë Llaha.

Një tjetër terapi efektive sipas psikologes është edhe CBT ( cognitive behavioral therapy) e cila duket se është shumë efikase në trajtimet e ankthit dhe fobive. Kjo është një terapi që alternon ndërhyrjen në mendimet dhe sjelljen e individit, pa anashkaluar dhe ndërhyrjet mbi simptomat fiziologjike. Psikologja thotë se për të gjithë ata persona, të cilët e kanë të pamundur që në mënyrë të pavarur ta kalojnë këtë vështirësi, marrja e shërbimit psikologjik ose psikoterapeutik është domosdoshmëri.(SI)