Do të qëndrojë apo jo Cristiano Ronaldo te Juventusi, kjo është dilema e madhe në shtëpinë bardhezi. Te Juventusi kjo që sapo ka nisur parashikohet të jetë një javë e nxehtë pasi me shumë gjasa do të vendoset e ardhmja e yllit të skuadrës, portugezit Cristiano Ronaldo. Pas disa ditësh do të zbarkojë në Torino, menaxheri i CR7-ës Jorge Mendes i cili do të diskutojë nga afër me presidentin Andrea Agnelli dhe drejtuesit e tjerë të klubit bardhezi se çfarë do të ndodhë me vazhdimësinë e Ronaldos te Juvja. Nëse do krijohen të gjitha kushtet që ylli portugez të qëndrojë atëherë me shumë gjasa 5-herë fituesi i Topit të Artë do të vazhdojë aventurën me Juventusin pasi ka edhe një vit kontratë me bardhezinjtë.

Në muajt e kaluar është diskutuar shumë për largimin e Cristiano Ronaldos nga klubi piemontez por duke parë vështirësitë ekonomike që ka krijuar pandemia e COVID-19 te të gjitha klubet e mëdha europiane do të jetë shumë e vështirë që CR7 të lëvizë nga Torino. Për momentin të gjitha rrugët e çojnë 36-vjeçarin drejt qëndrimit te Juventusi për të paktën edhe një sezon, kjo edhe për faktin se asnjë klub tjetër nuk është i gatshëm të paguajë 29 milionë euro aq sa kërkon Agnelli për kartonin e CR7 dhe t’i japë Ronaldos një pagë prej 30 milionë eurosh në sezon. Trajneri i ri i bardhezinjëve Massimiliano Allegri nga ana e tij shpreson që ta ketë Cristianon në skuadrën e tij edhe për sezonin e ri dhe kjo është një tjetër indicie për qëndrimin e CR7-ës te Juvja.