Klisheja e futbollistit injorant e hedhur poshtë nga Kombëtarja e Roberto Mancini. Një traditë që vjen nga larg.
Të zotët jo vetëm në fushë. Italia ka arritur kështu në finale, por qysh pas kalimit të tetëshes ishte bërë virale një intevristë në anglisht e një kombëtareje kaltëroshe që jo vetëm ka rinisur të ecë si kurrë më parë pas figurës së keqe të moskualifikimit në Botërorin e Rusisë, por duket me nivel intelektual të pazakontë për fushat e futbollit. Federico Chiesa, me golin që ka zhbllokuar rezultatin kundër Austrisë, sigurisht që ka hyrë në histori. 25 vite e 12 ditë më parë edhe i ati, Enrico Chiesa, ka shënuar me kombëtaren në të njëjtin turne, kundër Republikës Çeke, dhe është hera e parë që babë e bir shënojnë në dy edicione të Europianëve. Por golashënuesi, i intervistuar nga BeIN Sports, veç të tjerash ka shpalosur një anglishte të rrjedhshme, frut i një shkolle ndërkombëtare të bërë në Firenze. “E ka frekuentuar qysh nga klasa e pestë”, kishte treguar më 2015. “Liceu ndërkombëtar zgjat 4 vjet, mësimet të gjitha në anglisht, përveç atij të italishtes, natyrisht, shokë klase nga e gjithë bota, japonezë, amerikanë… Anglishten tashmë e flas për mrekulli, kam bërë edhe pak frëngjisht. Kur më regjistroi në shkollë, im atë më tha se do të më shërbente edhe për futbollin”.
Në këtë pikë, kanë kujtuar shumë se, përveç një poligloti, 3 lojtarë të grumbulluar nga Mancini ndjekin një skollë diplomimi: Matteo Pessina, i regjistruar në Fakultetin Ekonomik të LUISS; Giacomo Raspadori dhe Alex Meret, të dy të regjistruar në kursin e diplomimit 3 vjeçar në Shkenca Motorike, Dega Futboll. Dhe një i katërt, Giorgio Chiellini, ka vetë dy diploma: trevjeçar në Ekonomi, me rezultatin 109/110; Master në Administrim Biznesi, me lavdërime dhe përmendje, natyrisht, që shpikja e një rrugëtimi specifik për profesionistët e topit, si ai që po ndjekin Raspadori dhe Meret, i lehtëson shumë gjërat. Në Shkenca Motorike është diplomuar edhe Dries Mertens, kurse Robert Lewandowski diplomën për Edukatë Fizike në Poloni e ka marrë deri me një tezë për vetëveten. “RL9, rrugëtimi drejt lavdisë”, titulli i saj. Padyshim, duhej të kiste shumë material të dorës së parë… Më përpara akoma se të shkonin në universitet kanë lindur shkollat e mesme të larta kinse për të rinjtë e akademive, që mund të frekuentonin kështu leksionet dhe të stërviteshin në të njëjtin vend. Për shembull, Liceu Shkencor i Shkencave të Aplikuara i Juventusit apo, për Romën, seksioni i shkëputur pranë Trigoria i Institutit Shkollor Ndërkombëtar Gjon Pali i II: lice shkencor me drejtim sportiv.
Një lloj si me thënien për Profetin Muhamed dhe malin: nëse futbollisti ka vështirësi në gjetjen e mënyrës për të arritur tek kultura, atëhere duhet të jetë kultura ajo që duhet të gjejë mënyrën të shkojë tek futbollisti. Dhe e kemi parë. Për shembull, përveç 34 trofeve dhe raportit me Shakira, Gerard Piqué disponon një Master në Biznes, Media, Sport dhe Argëtim në Harvard. Ndërsa Edwin van der Saar, drejtor sportiv i Ajax, përveç se ka qenë një prej portierëve më të mirë në historinë e futbollit dhe futbollisti i dytë me numrin më të madh të ndeshjeve në kombëtaren portokalli, ka edhe një diplomë për Sport Management.
E vërtetë edhe se Chiellini diplomën e tij në Business Administration në Universitetin e Torinos e ka marrë me një tezë bazuar mbi “modelin e biznesit të Juventusit në një benchmark ndërkombëtar”. Në të njëjtën linjë janë Lorenzo De Silvestri, me një diplomë në Ekonomi dhe Sport Management, dhe Massimo Oddo, me një në Shkenca Juridike e Menaxheriale të zbatuara sportit. Ndërsa të dy rrugëtimet i ka ndërmarrë Juan Mata me diplomat përkatëse në Shkenca Sportive dhe në Managment. Por Chiesa, përveç se në anglisht, ka hyrë edhe në Fizikë. Bile thotë se sikur të mos ishte bërë futbollist do t’i kishte pëlqyer të studionte Big Bang dhe Vrimat e Zeza. Kurse Pessina, Ekonomikun menjanë, ka trashëguar pasionin për latinishten nga një gjyshe profesore. “Gutta cavat lapidem” është motoja e tij e preferuar. Është bërë viral edhe rrëfimi kur shkoi në universitet për të dhënë një provim Statistike dhe ju desh të nxirrte fletëhyrjen, pasi një gardian dukshëm jo tifoz nuk e njohu fare. Kurse njëri që për të luajtur nuk ka mundur ta bëjë universitetin siç duhet është Salvatore Sirigu: bir i një profesoreje dhe diplomë pjekurie shkencor. Në kompensim, njeh frëngjishten dhe është gllabërues i madh librash.
Edhe pa specializime sportive, Ekonomia gjithësesi tërheq shumë futbollistë. Midis të diplomuarve Cesc Fabregas, Xabi Alonso, Yuto Nagatomo, Nigel de Jong, Erjon Bogdani, Oliver Bierhoff, Vincent Kompany. Drejtësisë i janë kushtuar Adrian Mutu (i diplomuar edhe në Shkenca Sportive), Angelo Ogbonna (Doktoraturë në Jurisprudencë), Guglielmo Stendardo (në 2014 ka marrë provimin e aftësimit si avokat), Fabio Pecchia, Christian Puggioni. Në Matematikë janë diplomuar Glen Johnson dhe Jean-Alain Boumsong. Në Inxhinieri Arsène Wenger dhe Manuel Pellegrini: i pari flet edhe 6 gjuhë dhe, duke vënëp bashkë përvojën e tij si futbollist e trajner, ka shërbyer si konsulent për ndërtimin e stadiumit Emirates.
I habitshëm kurrikulumi i Lamberto Boranga: portier në skuadra si Fiorentina, Parma, Cesena, Perugia dhe Reggiana, por ende aktij në Kategorinë e Tretë deri në 76 vjeç; primatist italian i kërcimit së larti të Atletikës mbi 45, mbi 55 e nën 65 dhe i trehapëshit mbi 65; primatist botëror i kërcimit së gjati mbi 60; kampion i botës i kërcimit së larti në kategorinë mbi 70; diplomë në Biologji e në Mjekësi. Rrugëtime të veçanta janë pastaj ai i rusit Andrej Arshavin, Doktor në Fashion Design; ai i serbit Zheljko Barkiç, i diplomuar për Histori me një tezë për qytetërimit minoik dhe mikenas; i Luca Mora, kapiten i SPAL me pasionin për Filozofinë dhe për Feuerbach.
Duket çudi, pasi stereotipi është ai i futbollistit injorant që martohet me “velinën” më injorante se ai, por shkon goxha prapa në kohë. “Personazhe si romani Fulvio Bernardini tregoheshin si përjashtim”, kujtojnë Antonio Papa dhe Guido Panico në librin e tyre “Storia sociale del calcio in Italia”: një klasik i vogël botimi i parë i të cili i përket vitit 1993. “I diplomuar më 1928 në Universitetin Bocconi të Milanos, Bernardini ishte lojtari i vjetër i rëndësishëm në posedim të një diplome universitare”, shpjegojnë ata. Për këtë arësye e thërrisnin edhe “doktor” e “profesor”, përveçse “Fuffo”. Vitlindja 1905, roman nga një familje e pasur, Bernardini ka debutuar në moshën 14 vjeçare me Lazio: thjesht pse kur kishte shkuar të bënte një provim me Fortitudo e kishte gjetur portën e mbyllur. Fillimisht portier, në moshën 16 vjeçare filloi të bënte sulmuesin: nuk është e qartë pse ka pësuar 4 gola në një ndeshje me Naples apo pas presionit të prindërve mirëkuptues pasi i ra të fikët pas një përplasjeje në Fortitudo – Lazio. Por sidoqoftë spikati kur më 1923 shkoi në finalen me Genoa.
Më 22 mars 1925 qe lojtari i parë jo vetëm roman, por edhe i të gjithë qendër – jugut që shkoi në Kombëtare dhe verën e ardhshme shkoi tek Inter, pas një kontestimi me Juventus që qe një prej pikënisjeve të merkatos futbollistike në Itali. Që t’i prishnin mendjen, zikaltërit i ofruan si bonus një vend pune në bankë dhe mundësinë e studimit të Ekonomisë në Bocconi. Vetëm pasi ka marrë diplomën, më 1928, u kthye në kryeqytet, ku ndërkohë shkrirja midis Fortitudo, Alba dhe Roman kishte mundësuar lindjen e AS Roma. Të kaluar si mesfushor, si kapiten dhe flamur i verdhekuqëve, Bernardini qe një prej lojtarëve të të famshmit 5 – 0 të 15 marsit 1931 ndaj Juventusit. Për hir të së vërtetës, ekonomistin nuk e bëri kurrë, por ajo diplomë i jepte nj aureolë si intelektual, nga këtu edhe shigjetat e Gianni Brera në librin e tij “Storia critica del calcio italiano”.
“Fuffo ynë sapo ka shkruar një libër të mirë lidhur me sistemin WM anglez, i të cilit është një idhtar i zjarrtë”. “Pasi ka lënë Romën, ka luajtur në Matera, duke e ngritur nga C në B. Vjehërri i tij është anglo – napoletani Guglielmo Giannini, autor i njohur dramatik, themelues i “Uomo Qualunque”. Në këtë gazetë, që do të ketë fat të madh në ditët ambige të çlirimit, Bernardini shkruan për sport në përgjithësi dhe futboll në veçanti. Stili i tij është fluid, toni i tij nuk të lejon të ngresh dyshime. Nëse nuk jemi tek Ungjilli, pak mungon”. Sipas Brera “ndryshe fliste e ndryshe vepronte” për ta përçmuar katenaçon megjithëse e praktikonte si trajner. Do të jetë i pari trajner që fiton titull si trajner me dy skuadra të ndryshme: Fiorentina në sezonin 1955 – 1956 dhe Bologna 1963 – 1964, edhe skuadrat e para jotorineze dhe jomilaneze që fitojnë kampionatet e futbollit e pasluftës. Midis 1974 dhe 1977 do të përfundojë edhe në kombëtare. Por ndoshta Brera ishte edhe ziliqar, pikërisht pse tregonte që ai me futbollin e luajtur kishte hequr dorë sepse pajtimi me studimin e tij nuk i arrinte.
Bashkëkohës i Bernardini, me imazhin e futbollistit të kulturuar, qe edhe Annibale Frossi, në ato kohë i quajtur “Dottor Sottile”. Friulan me origjinë hungareze, bir i një mjeku të vdekur herët, imazhi i tij prej “çuni mami” theksohej nga një miopi që e detyronte të luante me syzet e kapura me llastik pas koke. Gjithmonë Brera vëren se pikërisht për shkak të atyre syzeve “nuk kishte mbajtje të mirë të topit dhe ishte i dobët në akrobaci” dhe se në fushë shpesh e shanin. Popullori dhe sanguini Peppino Meazza, që edhe si fëmijë ishte zbuluar dhe sinjalizuar pikërisht nga intelektuali Bernardini, e quante “brocchett”. Një herë, rrëfen gjithmonë Brera, në një Juventus – Inter, “memeci Varglien I ja hoqi syzet gjatë një faze konfuze të lojës dhe ia shkeli me këmbë aq fort sa ja katandisi në copëra xhami”.
Ama kujdes! Edhe fiumani Varglien I ishte regjistruar në universitet dhe bashkë me Bernardini qe pjesë e ekipit që më 1928 zhvilloi në Romë kampionatet e para botërore universitare. Me ta u dallua edhe livornezi Alfredo Pitto dhe interisti i atëhershëm Luigi Allemandi, që edhe ai ishte i regjistruar për Ekonomi. Duke u kthyer tek Frossi, përpara Inter ka qenë me Udinese, Padova, Bari e Aquila dhe transferimi i tij nga bardhezinjtë friulanë tek bardhekryqtë e Padova edhe pas blerjes u shty kinse për t’i dhënë kohë të bënte provimet e gjimnazit klasik. Me Ambrosiana fitoi dy titujt e 1938 e 1940 dhe me kombëtaren turneun olimpik e 1936, i të cilit qe edhe golashënuesi më i mirë me 7 gola. Por kjo nuk e pengoi që të diplomohej në Jurisprudencë, edhe pse vetëm më 1941, për të mbajtur një premtim të bërë nënës. Pasi ka përfunduar së luajtur u bë shef zyre tek Alfa Romeo. Por aty një prej drejtuesve ishte ishte edhe Presidenti i Luino. Praktikisht e imponoi t’i kthehej futbollit si trajner dhe aty qëndroi për 20 vjet: edhe me Torino, Inter, Genoa, Modena e Triestina. Në fund kaloi tek gazetaria sportive, edhe për “Corriere della Sera”, “La Stampa” dhe “Giornale”. Si i tillë u bë mik i Brera, me të cilin ndante idenë se rezultati i përsosur ishte 0 – 0. Ndoshta edhe për këtë “Storia critica del calcio italiano” e bën thuajse prototipin e futbollistit të arësimuar. “Një prej trajnerëve më të kulturuar e më origjinalë të futbollit tonë”, e quan.
“Filozofi” par excellance qe Manlio Scopigno: i lindur në Friuli nga baba polic i Policisë Pyjore me origjinë reatine; i rritur në Rieti; midis viteve 1946 e 1954 futbollist me Rieti, Salernitana, Napoli e Catanzaro; më pas trajner i Cagliari të titullit të 1970. Kishte studiuar Pedagogji në Sapienza, ishte bashkëshorti i një profesoreje Letërsie dhe babai një profesoreje të Anglishtes. Nofka i ishte ngjitur nga një gazetar që dikur e kishte ftuar në shtëpi për një intervistë, por më pas për t’i treguar bibliotekën e tij dhe të largohej: “Të mos flasim gjithmonë për futboll. Më mirë filozofi. Cilët autorë preferon? Këtu kam Kant, Hegel…”. Scopigno, Varglien dhe Pitto na kujtojnë se studentë në futbollin italian e viteve Tridhjetë, Dyzet e Pesëdhjetë kishte pak, Frossi dhe Bernardini nuk qenë të vetmit. Aq sa për të zgjidhur problemin e amatorizmit olimpik, e gjitha me studentë qe ekipi me të cilin trajneri Vittorio Pozzo fitoi medaljen e artë më 1936 dhe me to qe edhe ekipi tjetër i dërguar në Olimpiadën e 1948. Brera shkruan se për t’i gjetur Pozzo i kishte rrëmuar edhe në kategoritë e ulëta dhe në ekipin e 1936 kishte të tillë edhe të Spezia, Pisa dhe Viareggio.
Por siç e shpjegojnë Papa dhe Panico, në realitet edhe skuadrat plot me studentë kishin qenë “një fakt krejtësisht normal deri një dekadë përpara” Bernardini. Është me kalimin nga amatorizëm në profesionizëm që bëhen “të rrallë studentët midis lojtarëve të kampionatit të kategorisë së parë”: përjashto Allemandi, ata citojnë sulmuesin bolonjez Giuseppe Della Valle. “Më pak të ndeshur në veri qenë të diplomuarit nga shkolla të formimit teknik: kampionët e mbrojtjes të kombëtares dhe të Juventusit Giampiero Combi, Umberto Caligaris dhe Virginio Rosetta qenë llogaritarë”. Me pak fjalë, është në “gjeneratën e dytë të futbollit” që afirmohet imazhi një niveli më të ulët arësimor që mbetet gjatë. Aq sa midis viteve Shtatëdhjetë e Tetëdhjetë bëjnë lajm lacialët Giuseppe Wilson e Lionello Manfredonia që marrin diplomë Juridiku dhe braziliani Socrates që përveç emrit të filozofit paraqitet edhe me një diplomë Mjekësie, përveçse me një kurrikulum impenjimi politik në tranzicionin e Brazilit nga regjim ushtarak në demokraci.
Me pak fjalë, evolucioni i fundit është deridiku një rikthim në origjinë. Siç do të thoshte hegeliani Scopigno, një sintezë finale midis një tezë finale midis të kulturuarish amatorë të zanafillës dhe një antiteze të pakulturuarish profesionistë të një periudhe pasuese të gjatë dhe tani le të shikojmë nëse do të diplomohen apo jo kampionë të Europës.
(nga Il Foglio)
Përgatiti për TemA ARMIN TIRANA