13 administratorë subjektesh janë proceduar penalisht për veprën penale ‘Pushtimi i tokës’ në plazhin Seman, Darzezë, Divjakë. Në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, gjatë ditës së djeshme në plazhin e Semanit dhe Darzezës janë liruar 13 parcela bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.
Policia e Fierit njofton se gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Seman, Darzezë dhe Divjakë, evidentuan 13 subjekte pa leje, 5 në Darzezë dhe 8 në Seman, ku janë hequr 799 shezlongë dhe 398 çadra.
Janë proceduar penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: D. S., S. B., T. Ç., A. V., K. S., D. S., V. P., I. B., Th. S., O. T., E. C., P. Z., L. T., për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Operacioni do vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Një ditë më parë, nga veriu në jug, ka vijuar në të gjithë vijën bregdetare në vend aksioni për lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë abuzuese. Bëhet me dije se një ditë më parë u sekuestruan në total 1 mijë shezlongë dhe 517 çadra.