Që prej 1 janarit të këtij viti ka nisur një nga reformat më madhore të ndërmarra ndonjëherë nga Administrata Tatimore, Fiskalizimi.
Ky sistem i ri, i cili ka krijuar një mekanizëm të mbikëqyrjes në kohë reale, të pajisjeve fiskale që operojnë me para në dorë dhe atyre pa para në dorë, ka sjellë për Administratën Tatimore kontroll efektiv dhe analizë të saktë e të thelluar të të dhënave tatimore, përfshirë këtu edhe kriteret e riskut.
Qasja e Administratës Tatimore është orientimi drejt një administrate inteligjente, duke ulur kontrollin e vizitave në terren dhe duke u përqendruar më shumë nga kontrolli nga zyra.
Tatimet informojnë mbi procedurat që do të ndiqen bazuar analizës së riskut.
Sipas DPT-së, do të kryhet analiza e të dhënave dhe trendit të tatimpaguesve në sektorët e ndryshëm të ekonomisë nëpërmjet monitorimit të shitjeve dhe raporteve financiare nga zyra duke mirëmenaxhuar burimet njerëzore. Po ashtu do të kryhet vlerësimi i riskut për të gjithë tatimpaguesit dhe do të vlerësohet dhe renditet me risk të ulët, të mesëm dhe të lartë, bazuar në raportet e të ardhurave, blerjet, shpenzimet, numrat e punonjësve dhe nivelet e pagave.
Tatimpaguesve me risk të ulët do t’u dërgohen njoftime që detajojnë shqetësimet e nxjerra në bazë të analizës dhe do të inkurajohen për përmirësimin e deklarimeve. Tatimpaguesit me risk të mesëm do të intervistohen për të inkurajuar përmirësimin e deklarimit të tyre.
Ndërkohë, për tatimpaguesit me risk të lartë kontrollet do të orientohen për periudha në bazë të analizës së riskut. Periudha e parë e cila aplikohet është 2 (dy) vjeçare dhe nëse nga gjetjet (kontrolli në vend) do të rezultojnë fenomene, ngjarje dhe perceptime të përsëritura, kontrolli do të zgjatet për një periudhë 5 (pesë) vjeçare bazuar në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar.
Administrata Tatimore bën me dije se këto procedura janë në të njëjtën linjë dhe përputhje të plotë me rekomandimet nga FMN, si dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, me të cilat Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bashkëpunime të ngushta.
“Ky proces, i cili vlerësohet shumë i rëndësishëm, duke i konsideruar tatimpaguesit si partner, kërkon edhe bashkëpunimin duke mbështetur reciprocikisht palët që janë të përfshira në zbatimin e ligjit”, bën të ditur DPT.