Ledri Vula ishte i ftuar ditën e sotme në emisionin radiofonik “Pardon My French”, në të cilin ka folur gjerë e gjatë për karrierën e jetën e tij private. Ledri ka rikujtuar kohët e tij të vjetra, fillimet e karrierës me grupin “Skillz” dhe gjatë këtij rrëfimi është ndalur tek kënga e famshme “100 probleme”. Reperi ka treguar se kur ka publikuar këtë këngë ka pasur me të vërtetë shumë probleme në jetën e tij, por asnjëra prej tyre nuk e ndali dhe sot është në majë. “Asokohe kam pasur me të vërtetë 100 probleme, të cilat nuk më ndalën. Vazhdova dhe sot jam këtu ku jam, nuk u ndala”, u shpreh Ledri.

I pyetur se cilët janë reperët më të mirë në tregun muzikor, ai nuk ngurroi të përmendte emra. “Gjiganta në muzikë, nuk jam vetëm unë dhe Mc Kresha, është Lyrical Son, Vig Poppa, Singular-i, mund të përmend dhe Butën dhe Gjikon. Kemi qenë shokë prej vitesh, jemi rritur me të njëjtën frymë kemi të njëjtën mënyrë të shkruari tekstesh. Nuk kam bërë ndonjëherë ‘diss-e’ nëpër këngë, thjesht kam treguar një pjesë timen. Megjithatë, nuk e mohoj se jam më i mirë se plot të tjerë”, tha Ledri.

Gjatë këtij rrëfimi, reperi foli edhe për marrëdhënien e tij me Sarën, prej sa kohësh janë bashkë dhe momentin kur mësoi se do të bëhej baba. Ai ka treguar se kanë 3 vite lidhje me Sarën, ndërkohë që marrëdhënien e bënë publike në prill të 2020-s. “Kam aq kohë me Sarën sa ka qenë pjesë në xhirimet e klipit ‘Princess Diana’. Sarën e dua shumë si njeri dhe karakteri i saj më ka bërë për vete. E kuptova që ajo është ‘the one’, pasi do doja që një vajzë si Sara të rriste fëmijën tim. Kur ishim në karantinë, isha me disa shokë dhe kishim pirë shumë. Të nesërmen më vjen Sara me lot në sy dhe unë thashë çfarë ka ndodhur, më nxori para eko-n, e shihja dhe nuk e besoja. Ende nuk e besoj, më ka ndrequr jetën”, u shpreh reperi i emocionuar.

Edhe pse tashmë është babai i një vajze e me një partnere në krahë, Ledri nuk i shpëtoi pyetjes nëse vajzat vazhdojnë ta ngacmojnë. “Më pëlqejnë vajzat që e kanë trupin si peshk dhe jo trurin. Është shumë ‘turn off’ kur sheh një femër shumë të bukur, pret që dhe të jetë e mençur dhe kjo nuk ndodhë”, tha Vula.

Sa i përket planeve për të ardhmen, ai tha se gjatë karantinës ka realizuar disa projekte, por nuk do t’i nxjerrë të gjitha gjatë verës. Ledri tha se disa prej tyre janë pak më ndryshe në stil dhe ndoshta nuk do ju pëlqejnë të gjithëve.