Nuk do të ketë shtyrje të Lojërave Olimpike të Tokios, kjo është ajo që të lë të kuptosh lajmërimi për praninë e Perandorit Naruhito në ceremoninë e hapjes së evenimentit gjatë të cilës kreu i familjes perandorake japoneze do të deklarojë startin e kompeticionit më të rëndësishëm sportiv. Pavarësisht dyshimeve të ngritura ditët e fundit, ky lajmërim zyrtar siguron se Lojërat Olimpike do të zhvillohen rregullisht dhe largon përfundimisht fantazmat e një shtyrjeje të dytë të evenimentit
Me rastin e ceremonisë së hapjes, Perandori Japonez do të takojë presidentin e Komitetit olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach pasditen e së enjtes. Megjithatë, anëtarët e familjes perandorake nuk do të jenë të pranishëm në impiantet ku do të zhvillohet garat e Olimpikeve duke respektuar vendimin e qeverisë japoneze për të mos lejuar publik në stadiume për të parandaluar përhapjen e Covid 19. Sipas një funksionari të qeverisë, perandori japonez në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes mund të mos përdorë fjalën ‘festime’ në momentin e deklaratës së tij për startin e Lojërave
Por perandori nuk do të jetë i vetmi personalitet i lartë që do të jetë në ceremoninë e hapjes së Olimpikeve, në të do të jenë të paktën edhe liderët e 15 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, një numër ky shumë më i ulët në krahasim me 40 liderët që morën pjesë në lojërat olimpike të Rio De Janeiros të vitit 2016. Do të jenë 70 funksionarë qeveritarë në ceremoni,por numri i personave VIP të huaj që do të jenë të pranishëm në stadium ditën e premte mund të ndryshojë. presidenti francez Macron dhe kryeministi mongol Oyn Erden janë ndër liderët politikë që kanë konfirmuar praninë e tyre, ashtu sikurse edhe Zonja e Parë e SHBA, Jill Biden