Bashkimi Europian ka mbështetur Shqipërinë në luftën ndaj COVID-19, me pajisje mjekësore të specializuara me një shumë totale prej 4 milion eurosh
Delegacioni i Bashkimit në Tiranë theksoi sot se, “që prej fillimit të pandemisë së COVID-19, Shqipëria nuk ka qenë vetëm”.
“Lufta kundër virusit është lehtësuar falë mbështetjes së BE-së, përmes programit EU4Health, zbatuar nga UNOPS, me pajisje mjekësore të specializuara me një shumë totale prej 4 milion eurosh”, bëri të ditur zyra e BE në Tiranë.
“Ndihma e BE-së për Shqipërinë vazhdon”, njoftoi Delegacioni i BE teksa publikoi edhe një video ku tregohet mbështetja që BE i ka ofruar Shqipërisë gjatë pandemisë.
“Në mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, shpalli COVID-19, një pandemi globale. Pak ditë nga shpallja e pandemisë, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri pajtoi Agjencinë e specializuar të OKB, UNOPS, me qëllim furnizimin e sistemit shëndetësor me pajisjet thelbësore në luftën ndaj pandemisë”, thuhet në videon e BE.
Kreu i Delegacionit të BE në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca më 4 maj 2020, bëri dorëzimin e parë të pajisjeve mjekësore. “Jemi këtu për t’i dorëzuar Ministrisë së Shëndetësisë furnizimin e parë të suportit prej 4 milionë eurosh të BE-së në Shqipëri për të luftuar COVID-19”, pat deklaruar Soreca me atë rast.
“Pak javë pas dorëzimit të parë, BE siguroi respiratorët e parë të terapisë intensive, 100 shtretër, 5 ambulanca dhe dhjetëra pajisje monitorimi. Pajisje thelbësore për ekipin mjekësor në luftën ndaj COVID-19”, përfundon Delegacioni i BE.