340,000 vaksina Coronavac mbërrijnë së shpejti në vendin tonë, për të intesifikuar edhe më tej vaksinimin masiv ndaj COVID-19. Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore në Borizanë, e cila po rindërtohet nga themelet, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. “Pritet që në ditët e ardhshme të mbërrijnë në vend, në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare, edhe 340.000 vaksina Coronavac, që na krijojnë mundësinë për të realizuar sërish ndërhyrje të rëndësishme në raport me hapjen e fashës së vaksinimit dhe gjithashtu edhe të ditëve të hapura në vijim, për grupmoshat +18 vjeç për t’u vaksinuar. Ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se pavarësisht pandemisë, programi i rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit ka vijuar pa u ndalur. “Edhe pse në një kohë të vështirë, siç është pandemia, ne nuk ndalëm asnjëherë punën për investimet në shëndetësi dhe gjithashtu me programin e rindërtimit, për të mundësuar shërimin e plagëve të tërmetit të Nëntorit. Ndaj jam shumë e kënaqur që po çojmë përpara projektet për rehabilitimin e një seri qendrash shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti, spitalin e ri të Laçit, Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, etj. Brenda mandatit të ardhshëm ne do të vijojmë me programin e rehabilitimit të plotë të qendrave shëndetësore kudo në vend”, tha Manastirliu. Duke folur për shërbimet socio-shëndetësore, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se pjesë e planit të zhvillimit të kujdesit parësor është ngritja e qendrave të mjekësisë familjare.
“Në kuadër të strategjisë së kujdesit parësor, në mandatin e tretë qeverisës, do të vihet fokusi për të pëmirësuar jo vetëm organizimin e shërbimeve mbi baza të integrimit të shërbimeve, por gjithashtu edhe të krijimit të qendrave të mjekësisë familjare, një tjetër objektiv madhor që ne i kemi vendosur vetes deri në fund të vitit 2025, ku do të kemi 10 qendra të mjekësisë familjare, të cilat do të jenë për të organizuara në territor, për të mundësuar më shumë shërbime dhe për të rritur aksesin në kujdesin parësor për popullatën”, tha Manastirliu.
Qendra e re Shëndetësore e Borizanës po ndërtohet me mbështetjen e qeverisë zviceriane, nëpërmjet programit “Shëndet për të Gjithë”. Në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit të 26 Nëntorit, janë në rikonstruksion 6 objekte të sistemit parësor: Qendra Shëndetësore Thumanë, Qendra Shëndetësore Bubq, Ambulanca Borizanë, Ambulanca Varosh, Ambulanca Luz, Qendra Shëndetësore Ishëm dhe së shpejti fillon edhe Qendra Shëndetësore nr. 1 në Durrës. Sa i takon spitaleve të dëmtuara, ka filluar puna për ndërtimin e Spitalit të Laçit dhe për rikonstruksionin dhe zgjerimin e Maternitetit ‘Mbretëresha Geraldinë’.