Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka vizituar pak minuta më parë të lënduarit nga ngjarja e rëndë e Velipojës, të cilët po marrin shërbim në repartin e Djegie-Plastikës në QSUT. Gjatë bisedës me stafin mjekësor, Ministrja e Shëndetësisë tha se po bëhet maksimumi për trajtimin e familjes së lënduar rëndë nga shpërthimi në Velipojë, por situata mbetet tejet kritike. “Mjekët dhe infermierët në reanimacionin e repartit të Djegie-Plastikës në QSUT, po bëjnë maksimumin për t’u kujdesur për familjen e lënduar në ngjarjen e rëndë në Velipojë.
Stafi ynë po bën më të mirën, duke e trajtuar nënën dhe fëmijët me terapinë e plotë të mjekimit, por situata mbetet tejet kritike” shkruan Manastirliu. Mjekët shprehen se nëna me tre fëmijët kanë prognozë të rëndë dhe situata është kritike.