Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në Lushnje, ku ka bërë me dije se javën e ardhshme, njësitë e lëvizshme të vaksinimit do të nisin vaksinimin ndaj COVID19 në terren, në territore ku ende qytetarët nuk janë vaksinuar.
“Njësitë e lëvizshme për vaksinimin janë duke u përgatitur dhe duke filluar nga java që vjen do të jemi në terren me njësitë e lëvizshme të vaksinimit për të kryer dhe vaksinimin afër komuniteteve që ende nuk kanë mundur ta marrin vaksinën”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se ditët e hapura të vaksinimit masiv do të vijojnë gjatë verës, me qëllim intesifikimin e vaksinimit antiCOVID.
“Jemi tashmë në grupmoshën +50 vjeç, por gjithashtu po vijojmë me vaksinimin e kombinuar. Ditët e hapura të vaksinimit do të vijojnë. Do të kemi ditë të hapura të vaksinimit edhe përgjatë muajit korrik, edhe përgjatë muajit gusht, në mënyrë që të sigurojmë që sa më shumë qytetarë të grupmoshave të ndryshme të jenë të vaksinuar”, tha Manastirliu.
Duke u bërë apel qyetetarëve të vaksinohen me qëllim që sezoni i vjeshtës të gjejë sa më shumë qytetarë të vaksinuar, Manastirliu tha se vaksinimi po bëhet i mundur edhe për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuar në banesat e tyre.
“Fushata jonë e vaksinimit do të vijojë me intensitet të lartë. Edhe përgjatë këtyre muajve të verës ne do të vijojmë që të jemi jo vetëm të strukturuar në mënyrë kapilare në qendrat shëndetësore apo pikat e vaksinimit të përqendruar, por tashmë kemi filluar të jemi edhe në komunitete, pranë të gjithë atyre që nuk kanë mundësi për të ardhur në qendrën shëndetësore për t’u vaksinuar dhe për t’i vaksinuar në shtëpi. Sidomos për të moshuarit që nuk lëvizin dot, për personat me aftësi të kufizuara, të cilët janë të pamundur për të ardhur në strukturat e shëndetësisë. Shëndetësia do të jetë pranë tyre. Ndaj ne tashmë jemi organizuar me të gjithë qendrat shëndetësore, me grupet tona të terrenit për të vijuar vaksinimin dhe për të mos u ndalur”, tha Manastirliu.
Vaksinimi masiv me kalendar të kombinuar po vijon për personat mbi 50 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 974,486 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 407,402 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.