Laboratori i ri në maternitetin “Koço Gliozheni” ka zgjeruar gamën e analizave duke rritur cilësinë shërbimit për nënat dhe fëmijët.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot pamje nga ky laborator i ri, investim i qeverisë shqiptare.

“Një tjetër laborator modern në Spitalin Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, i shtohet rrjetit të laboratorëve publikë me standarde ndërkombëtare, duke zgjeruar gamën e analizave dhe duke rritur cilësinë e shërbimit për nënat dhe fëmijët”, – theksoi Manastirliu.

Një mjeke pranë këtij laboratori tha se “laboratori ka standarde të nivelit ndërkombëtar, kushtet janë optimale. Nëse deri dje për ekzaminimin e një bilanci biokimik i duhej për një pacient të paktën 30 minuta sot me aparaturat e reja përgjigjet janë në kohë rekord”.

Ndërsa një infermiere u shpreh se “pas 30 vitesh punë profesionale infermierore mendoj që kemi arritur standardet në pjesën e analizave laboratorike”.

Shërbimi i ri i laboratorit, pjesë e rrjetit modern të laboratorëve publikë, me Partneritetin Publik-Privat ka rritur gamën e analizave nga 27 në 163 lloje analizash në maternitetin “Koço Gliozheni”.

Qeveria shqiptare në 18 spitale publike do të investojë për ofrimin e shërbimit cilësor dhe zgjerimit të gamës së analizave, duke rritur mbulimin shëndetësor dhe duke reduktuar pagesat nga xhepi për qytetarët.

Përmirësimi i shërbimit për nënën dhe fëmijën afër vendbanimit, kanë qenë në fokus të investimeve të viteve të fundit të qeverisë shqiptare, me ndërtimin e materniteteve të reja të Korçës, Sarandës, Lezhës, Kukësit, Beratit dhe së fundmi, kanë nisur punimet për rikonstruksionin dhe zgjerimin e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.