Në kuadër të takimeve zyrtare në kryeqytetet e vendeve të ndryshme të BE, Kryenegociatori i Shqipërisë për aderimin në BE, Zef Mazi, u prit sot në takim në Pragë dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jakub Kulhánek dhe me zëvendësministrin e Jashtëm për Çështjet e BE-së, Aleš Chmelar. Mazi e njohu ministrin çek me përmbushjen e plotë të kërkesave të Këshillit Europian të marsit 2020 nga Shqipëria.
Ai nënvizoi se “Shqipëria jo vetëm i ka plotësuar të gjitha kërkesat, por ajo do vijojë pa ulur aspak ritmin në fushën e reformave. Kjo është në të mirën e vendit dhe popullit shqiptar. Rezultatet janë të prekshme, të rëndësishme, rekordi i tyre vjen në rritje të domonstrueshme qartë për këdo”.
Kryenegociatori Mazi nënvizoi meritat individuale të vendeve, si kriteri bazë vlerësues i përcaktuar nga BE. “Mospërcaktimi i datës për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare nga Këshilli Europian shton lodhjen, rrit mosbesimin dhe ul kredibilitetin e BE-së në sytë e popullit të vendit tonë dhe të tjerëve. Shqipëria pret që BE-ja të marri vendimet e duhura pasi Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë dhe po vijon me konsistencë reformat e ndërmarra. Problemet e identitetit dhe ndoshta nacionaliste mes vendeve të tjera nuk duhet të marrin peng rrugëtimin europian të Shqipërisë”, ka theksuar Mazi.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm çek Kuhlanek, vlerësoi gjithë punën e kryer nga Shqipëria në kuadër të integrimit europian. Për ministrin çek, Shqipëria duhet të mbajë sa më shpejt konferencën e parë ndërqeveritare. Prioriteti i Çekisë është hapja e bisedimeve teknike të aderimit me Shqipërinë. Sipas ministrit, “Shqipëria ka bërë reforma të qëndrueshme në drejtësi dhe siguri. Republika Çeke do të mbështesë këtë projekt dhe Shqipëria mund të mbështetet tek Çekia”. Po ashtu, ministri Kulhanek nënvizoi se “Çekia ka pritshmëri të lartë nga Presidenca sllovene, ku Ballkani Perëndimor do të jetë në fokus. Ashtu do jetë Ballkani Perëndimor edhe për Presidencën çeke në gjysmën e dytë të vitit 2022″.
Sipas tij, BE-ja duhet të marrë një vendim për konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë. Ky qëndrim u mbajt edhe nga zëvendësministri i Jashtëm për Çështjet Europiane i cili theksoi se Çekia do të punojë me vendet e tjera të Unionit për të shpejtuar procesin e zgjerimit. Bashkëbiseduesit ishin dakord për të gjitha çështjet që lidhen me zgjerimin dhe për mënyrat sesi shihet ecuria dhe domosdoshmëria e vijimit te procesit të zgjerimit pa ndërprerje. “Midis Shqipërisë dhe Republikës Çeke do shtohen marrëdhëniet në të gjitha fushat. Do shkëmbehen vizita të ndryshme dypalëshe në nivele te larta”, tha ai.
Kryenegociatori mori nga pala çeke konfirmimin se Shqipëria mund të mbështetet te Çekia, dhe Çekia ka qene dhe do jetë avokate e Shqipërisë në procesin të zgjerimit. Po ashtu, Kryenegociatori Mazi zhvilloi takime edhe me Komisionin parlamentar çek për çështjet europiane. Ai u prit nga Kryetari i këtij Komisioni, Ondřej Benešík, dy zëvendësat e Komisionit dhe anëtarë të tjera të Komisioni. Kryenegociatori Mazi vlerësoi rolin e parlamentit çek në çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE.
Ai theksoi se “diplomacia parlamentare mes dy vendeve duhet të forcohet me tej. Ai është instrument i rëndësishëm në procesin e aderimit në BE”. Kryenegociatori sugjeroi që mes dy parlamenteve të rritet bashkëpunimi, të zhvillohen vizita dypalëshe. Kryetari i Komisionit, Benesik vlerësoi punën e bërë nga Shqipëria dhe e cilësoi atë një vend mik që duhet të bashkohet sa më shpejt në familjen europiane. Ai ritheksoi mbështetjen e Çekisë për ecurinë sa me shpejt të integrimit të Shqipërisë. Deputetët e parlamentit çek vlerësuan reformat e thella transformuese të Shqipërisë.