Kryeministri Edi Rama në kuadër të turit të vizitave në bashkinë e Beratit vizitoi kantinën e verës “Çobo”.

Kryeministri Rama shoqërohej nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi si dhe drejtore e Agjencisë së Zhvillimit Rural dhe Bujqësor, Frida Krifca.

Rama u njoh me investimet e reja të kryera në këtë kantinë edhe me mbështetjen e IPARD-it, për mekanikën bujqësore, çka ka ndihmuar në transformimin e mënyrës se si kryhen punët në fermë, punë që më parë kryheshin me krahë, apo mjete jo të duhura.

Kjo kantinë gjatë gjithë ciklit të saj është rritur falë përkushtimi të familjes Çobo, por edhe falë mbështetjes nga Agjencia e Zhvillimit Rural Bujqësor.

“Talentet e puna e palodhur e një familjeje kanë krijuar një markë prestigjioze të prodhimit të verës, e cila edhe falë skemave mbështetëse të AZHBR-së, duke përfituar teknologji më të avancuar, vijon të rrisë cilësinë e prodhimit dhe të ruaj traditën”, tha Rama.

Kantina, tashmë ka edhe linjën e re të përpunimit të shisheve dhe botet ku mund të stazhionohet vera për të patur një standard të lartë.

Në këtë kantinë tashmë ka nisur edhe prodhimi i konjakut.