Janë publikuar disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Bamirësen dhe Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, si: “Padmashir”, dhe “Nehru”, nga qeveria indiane në vitin 1963 dhe 1972, “Magnasia” nga qeveria filipinase e cila e shpalli gjithashtu si “Gruaja e merituar e Azisë”, disa çmime paqeje nga SHBA, “Ambrogino i artë” nga Milano, “Nëna universale” në 1974 nga qendra e orientimit të emigrantëve, dhe çmimi ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën.  Kalvari i Nënë Terezës që nga viti 1969, e cila nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë.

I gjithë dokumentacioni i plotë, (tashmë i deklasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekse të ndryshme,  penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!

Edhe pse në të gjithë botën ajo njihej si Nënë Tereza e Kalkutës, Bamirësja dhe Shenjtorja e famshme Gonxhe Bojaxhi, fituese e disa çmimeve ndërkombëtare dhe e çmimit ‘Nobel’ për Paqen në vitin 1979, nuk e fshehu kurrë origjinën e saj shqiptare, madje duke kërkuar që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze, italiane etj.,(ku u angazhuan krerët më të lartë të diplomacisë së këtyre dy shteteve), që të vizitonte nënën dhe motrën e saj që jetonin në Tiranë.

Por edhe pse lidhur me kërkesën e vazhdueshme për të vizituar atdheun e saj, asokohe dhe më pas u angazhuan disa prej diplomatëve kryesore të këtyre dy shteteve Perëndimore me të cilat Tirana zyrtare kishte marrëdhënie diplomatike, regjimi komunist i Enver Hoxhës, nuk e lejoi atë kurrsesi të vinte dhe të shikonte nënën e saj që ishte në momentet e fundit të jetës dhe Age Bojaxhi, u nda nga jeta me pengun e madh që s’mundi ta shihte edhe njëherë të bijën e saj, Gonxhen, të cilën s’e kishte pare, që kur ajo ishte fëmijë, kohë kur ajo ishte larguar nga shtëpia për t’u bërë murgeshë.

Por edhe pas kësaj, Nënë Tereza e Kalkutës, siç njihej ajo në të gjithë botën për shkak të misioneve të saj të bamirësisë në ndihmë të të varfërve dhe të vobektëve kudo që ata ndodheshin, në të gjitha skajet e globit, jo vetëm që nuk u zemërua me ata që nuk e lejuan të shihte nënën e saj, para se të ndërronte jetë, por përkundrazi, u lut për ta dhe vijoj të kërkonte pa u lodhur, për vite me radhë, që ajo të vinte një ditë në vendlindjen e të parëve të saj, qoftë dhe për të vënë një tufë me lule mbi varrin e nënës dhe motrës së saj, që tashmë ishin larguar nga jeta.

Por kërkesat e saj, për dy dekada  (nga viti 1969, deri në 1989-ën), hidheshin poshtë me pretekste nga më absurdet nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më pas, pasuesit të tij, Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, të cilët shikonin pas saj dhe njerëzve që e shoqëronin: një “agjente të Vatikanit”, etj.!

Lidhur me këto si dhe të gjithë kalvarin e saj prej më shumë se dy dekadash për të ardhur në Shqipëri, ku mendonte që të hapte Shtëpitë e Bamirësisë, siç kishte bërë në vende të ndryshme të botës, si dhe arsyen e vërtetë sepse Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha, vendosën që ta pranonin atë në vitin 1989, kur dhe erdhi për herë të parë në atdheun e saj, bëhet fjalë në shumë dokumente arkivore, ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, revista, flet-palosje, fotografi, etj., etj., të cilat publikohen për herë të parë nga Memorie.al., në rubrikën historike dossier, duke filluar nga ky numër.

Vijon nga numri i kaluar

Raport-informacion i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me vizitën e Nënën Terezës në Shqipëri

 Komiteti

 Nr. 204                                                                                           Tiranë, me 6 dhjetor 1990

                                                        I N F O R M A C I O N

Në bazë të kërkesës së saj, nga 1 deri 5 dhjetor 1990 bëri një vizitë në vendin tonë Nënë Tereza. Ajo shoqërohej nga një prej motrave të shtëpive të bamirësisë, Marie Emizonne Nolla Noyaux, (Marie Franse) nga Mauricius dhe prodhuesja e filmit mbi ‘Nënë Terezën’ Janette Petrie, kanadeze e cila ka ardhur tre herë në vendin tonë.

Qëllimi i Nënë Terezës ishte që të hapte në vendin tonë një Shtëpi Bamirësie dhe të sjellë në Tiranë me 5 dhjetor 1990 katër motra (një shqiptare nga Prizreni që është në Washington, një italiane, një indiane dhe një nga Maucius, që e kish sjellë me vehte).

Për këtë ajo kërkoi të dilte dhe të shikonte lagjet e varfëra, siç thonte ajo, ish-kishat që kanë qenë në Tiranë, shtëpinë ku kanë banuar nëna e motra e saj. Nga sa pa, i pëlqeu shtëpia që është ngjitur me ish-Kishën Katolike në rrugën “Ali Pashë Gucia” Nr. 3, ku është tani Shtëpia e Pionierëve e Rajonit Nr.3, e cila përbëhet nga tre dhoma në katin e parë dhe tre dhoma në katin e dytë.

Nënë Tereza bëri një vizitë në Kopshtin e Fëmijëve që i është vënë emri i saj. Atje u prit me përzemërsi dhe ngrohtësi nga fëmijët, edukatorët dhe prindër të fëmijëve. Ajo shprehu falenderimin për vënien e emrit të saj Kopshtit Nr. 42 dhe se gëzohesh që shikonte fëmijë të shëndetshme, të lumtur e të gëzuar duke bërë krahasim me punën që bënin motrat e saj me fëmijët e uritur, të sëmurë e pa prindër në botë.

Në pritjen që i bëri shoqja Nexhmie Hoxha, nënë Tereza i tha se: unë kam një dhuratë të bukur: “Të sjell në Shqipëri katër motra e mija dhe ju të më jepni një shtëpi të thjeshtë në Tiranë” dhe i tha se tani atje janë pionierët. Ajo vuri në dukje se ka hapur Shtëpi Bamirësie në 94 vende të botës dhe kjo që do të hapte në Shqipëri do të jetë e 95- ta.

Ajo vuri në dukje se edhe në Shqipëri kish vënë re se ka shumë njerëz që e duan dhe për këtë tha se duam t’i shërbejmë popullit shqiptar me kujdesin dhe dashurinë tonë. Pastaj i foli për shtëpitë e hapura kohët e fundit në Bashkimin Sovjetik (6 janë hapur dhe do të hapen edhe 7 të tjera) në Kubë, Rumani etj.

Shoqja Nexhmije i tha se do ta shikonim në kohën e duhur me organet kompetente kërkesën e saj dhe këtë e bënim për t’i plotësuar asaj dëshirën si shqiptare që është dhe jo se kishim nevojë, mbasi shërbim ndaj të sëmurëve, pleqve etj., bëhet nga shteti.

Me rastin e 80 vjetorit të ditëlindjes, Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të Parë, me këtë motivacion: “Personalitet i shquar botëror, që e frymëzuar nga dashuria e pafund për njerëzit, sidomos për të varfrit, të sëmurët e të uriturit, u ka kushtuar atyreve tërë jetën e vet. Veprimtaria vetmohuese e Nënë Terezës, shpirti i rrallë i sakrificës dhe ndjenja e lartë e humanizmit të saj, ka fituar simpatinë e mbarë njerëzimit. Shqiptarët janë krenarë për këtë bijë të madhe e të nderuar të tyren!”

Nënë Tereza  tha se dekorimi i saj ishte një suprizë shumë e këndëshme dhe se vlerësohet puna jonë me njerëzit në botë.

Me padurim priste të takohej me shokun Ramiz Alia. Që sa mbriti e kërkoi një gjë të tillë dhe donte ta bënte sa më parë mbasi si dukesh e kish vendosur që shtëpinë e bamirësisë në Tiranë ta hapte gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri. Takimi qe shumë i përzemërt dhe i ngrohtë. Shoku Ramiz i foli që në fillim kur ajo ngriti problemin e hapjes së shtëpisë së bamirësisë me zemër të hapur.

Ai i kërkoi mendimin e saj duke i spjeguar situatën që gjendet në vendin tonë tani dhe se çdo masë që duhet marrë në çdo sektor të jetës duhet të jetë i studiuar dhe duke qenë në rregull me ligjet. Koha më e përshtatshme do të jetë 4 marsi 1990 për hapjen e kësaj Shtëpie Bamirësie, duke sjellë motrat në Shqipëri të cilat mund të punojnë me handikapat që kemi në vendin tonë.

Shoku Ramiz i theksoi se për ne kjo është diçka simbolike që bëjmë për ju, ndërsa për ju vetë, është diçka e zakonshme që bëni kudo në botë. Nënë Tereza e pranojë këtë “marrveshje”.

Me pas ajo foli për punën që bën ajo kudo në botë, për 3000 motra që ka në 440 shtëpi që ka hapur në 94 vende, e ku ka 35 kombësi. Se kudo motrat punojnë për të lehtësuar dhembjet e njerëzve, se ata nuk kërkojnë por jetojnë me çka u japin individet e ndryshme në vende të ndryshme.

Pas takimin me shokun Ramiz Alia, ajo ishte shumë e gëzuar dhe këtë ja tregoi shoqërueseve Adelina Mazreku, Theofan Nishku e Natasha Hito. Ajo tha se: “Më bëri përshtypje ngrohtësia dhe çiltërsia me të cilën e priti shoku Ramiz. Nuk e mora vesh se isha duke biseduar me një kryetar shteti, e ndjeva veten sikur ishe në shtëpinë time”.

Menjëherë pas takimit, shoqëruesja njoftoi motrat në Romë me telefon përsa ishte vendosur dhe se Nëna ishte e gëzuar për këtë.

Gjatë bisedave të lira me shoqëruesit ajo fliste vazhdimisht për punën që bëjnë shtëpitë e bamirësisë kudo në botë duke dhënë shembuj të ndryshëm. Ajo u tha atyre se ne duam që në Tiranë të na vihet në dispozicion një shtëpi e vogël, në një lagje të thjeshtë, ku të ketë të paktën tre dhoma një për të banuar motrat, një për të pritur e kujdesur për njerëzit dhe një për të bërë lutjet motrat. Këtë shtëpi ajo tha se mund ta blinte, mbasi nga një irlandez kishte pasur ofertë për t’i dhënë paratë.

Ata do të jetojnë me ato që do t’i japin njerëzit dhe ato që do t’i jap vetë Nënë Tereza nga fondet që ka krijuar. Motrat mund të bëjnë çdo lloj pune, qoftë në spitale apo për të ndihmuar individë të ndryshëm që do të kenë nevojë. Për deri sa nuk ka priftërinj të seksit tyre, për të bërë faljet një herë në javë, mund të vinte një prift i tyre nga Roma e të largonesh pas bërjes së shërbesës. Për këtë nuk kërkonte që të hapej kishë. Shokut Ramiz i dorëzoi një letër në takim si dhe fotokpojen e një akti që kish nënshkruar në Bashkimin Sovjetik.

Gjatë qëndrimit të saj në vile, pati shumë njerëz që donin ta takonin. Shumica që vuanin nga sëmundje psiqike, apo sakatë të cilët kërkonin ndihmën e saj për t’u kuruar jashtë, apo të tjerë që donin veçse ta takonin. Për të sëmurët, asaj ju spjegua që më parë nga shoqëruesit për ndihmën që jep shteti në institucionet e ndryshme, si dhe për rastet e veçanta të nxjerrjes së tyre jashtë shtetit. Ajo u fliste me fjalë të ngrohta dhe se do të lutesh për ta. Të gjithëve u jepte një medalion të vogël prej alumini me inicialet e saja.

Nënë Tereza u largua bashkë me dy shoqërueset mjaft e kënaqur për pritjen, vizitat dhe takimet e organizuara. Tha se do të merrej vesh me ambasadën tonë në Romë për hollësitë e ardhjes së motrave dhe të paisjeve që mund të sillte në fillim të marsit të vitit të ardhëshm.

Ajo u largua për në Romë nga nuk kish vendosur në se do të shkonte në SHBA apo Liban. Para largimit ju dha një video kasetë ku u regjistruan takimet e vizitat e bëra si dhe dy kopje me fotografi nga veprimtaritë kryesore. Nga ana e saj ajo i drejtoi një letër të shkurtër falenderimi shokut Ramiz Alia si dhe një vidiokasetë me filmin që është bërë për atë (e dhuroi prodhuesja e saj Janette Petrie).

Kryetari

                                  Jorgo Melica

Relacioni i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, për letrën e Nënë Terezës dërguar Presidentit Ramiz Alia dhe pikturën që ajo e la për kopshtin e saj

Shokut Vaskë Çifligu

Bashkëngjitur po ju dërgoj letrën që Nënë Tereza, i’a dërgon shokut Ramiz Alia të cilën i’a dha shoqëruesve para largimit të saj. Gjithashtu po ju dërgoj, videokasetën me filmin për jetën e Nënë Terezës që i’a dhuron shokut Ramiz, prodhuesja e filmit Zhanet Petrie që ishte bashkë me Nënë Terezën.

                                      Jorgo Melica

                               Tiranë më 6.12.1990

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

KOMITETI SHQIPTAR PËR MARRDHËNIET KULTURORE E MIQËSORE ME BOTËN E JASHTME

                                          Tiranë më 15.2.1990

 KOPSHTIT TË FËMIJËVE “NËNË TEREZA”

     Tiranë

Bashkë me këtë shkresë, ju dërgojmë një pikturë të Nënë Terezës të bërë nga një piktorë shqiptare. Nënë Tereza, para largimit të saj nga Shqipëria shprehu dëshirën që kjo pikturë të mbahet nga kopshti i saj.

Kryetari

                                        (Jorgo Melica)

Relacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, për shoqëruesin e Nënë Terezës, Theofan Nishku, për letrat e saja dërguar në ambasadën shqiptare në Romë

Shokut Theofan 

Me porosi të Drejtorit të Protokollit (Shokut Kostaq), po të nis dy shkresat e ardhura nga ambasada jonë në Romë, që ka letrat e Nënë Terezës, për t’i dhënë drejtim, sipas destinacionit.

 Tiranë më 17.2.1990

                                  Përshëndetje Kozmai

 Komiteti

                                                                                                   Tiranë më 19.12.1990

                                          I n f o r m a c i o n

Nënë Tereza, nëpërmjet ambasadës sonë në Romë, ka dërguar letër në emër të shoqes Nexhmije Hoxha, si dhe të shoqëruesve Adela Mazreku, Natasha Hito, dhe Theofan Nishku. Në këto letra ajo, falenderon për pritjen dhe kujdesin e treguar për të gjatë vizitës së fundit në Shqipëri. Në letrën drejtuar shoqjes Nexhmije Hoxha, i kërkon ta ndihmojë për të sistemuar “motrat” në 4 mars 1991 në shtëpinë që ka pëlqyer (në rrugën “Ali Pashë Gucia” ose e njohur ndryshe Shtëpia e Pionerëve të Rajonit Nr. 3) dhe për të ndërmjetësuar pranë Presidentit për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërsa në letrën që i dërgon Theofan Nishkut i kërkon, që motrat të sistemohen në shtëpinë e mësipërme ose në ndonjë vënd tjetër që do të dojë Presidenti.

Kryetari

                                  (Jorgo Melica)

Shënim: 

Bashkëlidhur është informacioni i Komitetit së bashku me letrat që Nënë Tereza, i dërgon Nexhmije Hoxhës, Adelina Mazrekut, dhe Theofan Nishkut.

24.12.1990

                                         Llazari

Proces-verbal i bisedës së Presidentit Ramiz Alia me Nënën Terezën, më 4 dhjetor 1990

NE SHQIPTARËT JU NDEROJMË SEPSE SHIKOJMË TEK JU NJË BIJË TË POPULLIT SHQIPTAR

Më 4.12.1990, shoku Ramiz Alia, priti bamirësen e njohur me origjinë shqiptare, Nënën Terezën, me të cilën zhvilloi këtë bisedë:

Shoku Rmaiz Alia: Unë ju kam ndjekur, sepse jeni jo vetëm Nënën Tereza e Kalkutës, por edhe Nënë Tereza e Shqipërisë.

Nënën Tereza: Unë jam shqiptare dhe në të njëjtën kohë lidh Shqipërinë me Indinë. Kam 62 vjet që jetoj në Indi dhe kam shtetësinë indiane. Kam shkuar atje që në moshën 18 vjeçe.

Shoku Ramiz Alia: Por Shqipërinë nuk e keni harruar.

Nënë Tereza: Shqipërinë nuk e kam harruar, por atje nuk kam me kë të flasë shqip.

Shoku Ramiz Alia: Fjalë shqip dini?

Nënë Tereza: Di, p.sh.: “Lutu për mua” etj. Ju kam shkruar ju disa fjalë në gjuhën shqipe për herë të parë pas kaq vjetësh.

Shoku Ramiz Alia: I kam marrë letrat, ju faleminderit shumë. Ishin letra plot dashuri dhe ngrohtësi për popullin shqiptar dhe për mua.

Nënë Tereza: Kam sjellë diçka për ju, (është një dhuratë e vogël fetare). Unë nuk kam ar dhe argjend, mezi kam pritur të sjell motrat e mija këtu. Ne jemi shpërndarë në 94 vende të botës, Shqipëria do të jetë i 95-ti.

Sivjet ju më bëtë një dhuratë të veçantë për 80 vjetorin e ditëlindjes. Për vendin tim, për popullin tim, unë dua të hap këto shtëpi, edhe motrat e mija.

Shoku Ramiz Alia: Ju përshëndes për 80 vjetorin.

Nënë Tereza: Ju faleminderit shumë. Eshtë një dhuratë vërtet e bukur. Të gjithë këtu janë sjellë me dashuri me mua.

Shoku Ramiz Alia: Dhe duhet të sillen me dashuri, se të rrallë janë njerëzit si ju. Ju jeni njeriu që keni një zemër të madhe. Ju keni dhënë shumë për njerëzimin, duke u kujdesur për njerëzit, për ata që vuajnë, për ata që kanë shpresë dhe për ata që nuk kanë shpresë. Prandaj dhe gjithë njerëzimi ju nderon, ju nderojnë dhe shqiptarët veçanërisht, sepse shikojnë tek ju edhe një bijë të popullit shqiptar.

Nënë Tereza: Prandaj thashë se kam qenë për gjithë botën dhe mezi prita të vija edhe në Shqipëri. Prandaj thashë se nuk kam ar dhe argjend t’ju jap, por do t’u jap motrat e mija dhe së bashku të bëjmë diçka të bukur.

Shoku Ramiz Alia: Shumë mirë. Dhe unë do ta marr si nga zemra dhe jam i bindur se ardhja juaj në Shqipëri ndiqet me vëmendje nga i gjithë populli shqiptar.

Nënë Tereza: Njerëzit kanë shfaqur një dashuri shumë të madhe për mua.

Shoku Ramiz Alia: Ne e kishim detyrim për ju si bijë e popullit shqiptar. Ne nuk japim dot çmime Nobel.

Nënë Tereza: Ju më jepni një shtëpi.

Shoku Ramiz Alia: Çmime Nobel; jo, por çmimin ‘Naim Frashëri’ po, se ai ka qenë një poet i madh shqiptar, një njeri i mad hi kulturës shqiptare.

Nënë Tereza: Kishte shumë njerëz aty kur ma dhatë këtë dekoratë.

Shoku Ramiz Alia: Unë mund t’ju them një gjë, këtë djemtë e Televizionit e dhanë mbrëmë ceremoninë në televizion dhe fëmijët e mi u gëzuan shumë kur ju panë juve, gjithashtu, u gëzuan kur panë se kishte shumë njerëz kur morët dekoratën.

Në Shqipëri ju nderojnë sepse ju nderoni kudo Shqipërinë. U lodhët pak këto ditë në Shqipëri?

Nënë Tereza: Jo jo, nuk u lodha.

Shoku Ramiz Alia: Dje ishit tek fëmijët e vegjël?

Nënë Tereza: Po, shkova tek fëmijët e Kopshtit “Nënë Tereza”.

E botuan të tëra gazetat indiane dhe ishin shumë të gëzuar për këtë lajm, Indianët kanë dashuri shumë të madhe për mua.

Shoku Ramiz Alia: Duhet të kenë dashuri, se edhe ju keni bërë shumë për ta. Keni bërë shumë për të varfrit, për të sëmurët, por edhe për Indinë keni bërë shumë. /Memorie.al