Nga Mero Baze
Pas Kuvendit Kombëtar të PD i cili i ka prishur dhe më tej punët brenda PD, duket se të gjithë faktorët politikë në PD dhe jashtë saj janë të kënaqur.
Lulzim Basha po sillet sikur ja la në dorë popullit demokratë ta gjykonte listën e zezë të familjes Berisha nga SHBA dhe demokratët tani e dhanë përgjigjen e tyre. Tani ai po sillet sikur nuk ka asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur dhe që e varros PD dhe të ardhmen e saj, edhe pse vet nuk ka guxuar ende deri me sot, të mbaj një qëndrim për këtë çështje. Ai ka lënë si qëndrim të PD qëndrimin Berishës. Por kjo i dha më shumë mundësi të heq kritiket e tij të radhës nga PD bilës dhe rivalen për kryetare, ndërkohë që bën thirrje për unitet.
Por ai mori letrat dhe vulën e partisë. Tani i mbyll në kasafortë dhe vulën e mban vet, për çdo të keqe që mund të ndodh rrugës.
Berisha mori atë që donte. Ai ndërseu militantët talebane kundër SHBA duke “u pritur si hero” antiamerikan në sallë dhe duke i dhënë puthjen e vdekjes Lulzim Bashës. Atij i duhej ajo skenë për të justifikuar betejën e tij për të përdorur PD si zyrë avokatie kundër SHBA. Tani madje nuk ka rëndësi as hapja e gjyqit në Francë. Ai ishte sa të merrte këtë “mbështetjen” nga gjyqi politik i PD kundër SHBA.
Kritikët e Bashës morën atë që deshën pasi provuan se në PD nuk ka zgjedhje madje dhe mund të përjashtohesh dhe nga Këshilli Kombëtar nëse guxon të kandidosh përballë tij. Në fund të fundit deri këtu e kishin objektivin.
Mark Marku e mori vëmendjen e Kuvendit si kritik i radhës i Bashës. Nga ana tjetër ai mendon se lista e zeze e familjes Berisha kompensohet nëse futet në listë dhe Edi Rama. Nuk do ishte keq për PD të ndodhte kjo, por nuk është në dorë të PD por në dorë të SHBA dhe SHBA nuk pret këshilla nga PD për këtë çështje, por pret reflektim nga PD qe të distancohet nga berishët.
Të larguarit nga PD kohë pas kohe natyrisht që e morën atë që deshën, vërtetësinë e paralajmërimeve të tyre që Luli do letrën dhe vulën e partisë duke mos marrë asnjë përgjegjësi për humbjet.
Por mbi të gjitha Edi Rama e mori atë që deshi, duke patur përballë një parti që përveçse zvogëlohet përditë, po ikën dhe në drejtim të kundërt të asaj që do Shqipëria, duke shpallur fitore, komshillëkun e saj me SHBA. Edhe pse është një fitore qe nuk i duhet, është një fitore qe ja kane lenë ne tavoline.
Në këto kushte e vetmja fjali që i përkufizon tamam Kuvendin e PD është se “Me ketë Kuvend fitojnë të gjithë. Pak a shumë si slogani i PD në vitin 1996, pas të cilit PD, i humbi të gjitha.