Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka pritur në një takim zv.kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Bashkë me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Çuçi diskutoi për çështje të ndryshme që lidhen me sigurinë dhe forcmin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Me rëndësi të madhe është gjithashtu edhe hapja e një pike të re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
‘Bashkë me ministren e Drejtësisë patëm sot një takim dhe drekë pune në Tiranë me zv.kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që është gjithashtu një politikan i ri dhe ambicioz nga radhët e shqiptarëve në shtetin fqinj. Diskutuam për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, për kontrollin e kufirit Shqipëri-Mali i Zi, aksionet e përbashkëta policore kundër trafikut dhe krimit të organizuar, si dhe monitorimin e situatës përgjatë sezonit turistik, ku siç dihet ka fluks të shtuar udhëtarësh nga të dy vendet.
Lajm i mirë që së shpejti do të kemi funksionale një pikë të re kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, për të lehtësuar më tej qarkullimin e njerëzve dhe kapitalit. Dy vendet tona kanë ende një hapësirë bashkëpunimi të pashfrytëzuar sa duhet. Vizita për herë të parë e një përfaqësuesi të lartë të qeverisë së Malit të Zi nga radhët e shqiptarëve, besoj se është një premisë e mirë për të intensifikuar më tej bashkëpunimin mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe për të adresuar për zgjidhje probleme të ndryshme të trashëguara nga e kaluara apo të krijuara rishtaz’, shprehet ministri Çuçi.