Alvaro Morata e ka thyer heshtjen pasi dështoi të shënojë gol nga penalltia kundër Italisë, gjë që i kushtoi Spanjës me eliminim nga Kampionati Evropian 2020 të martën. Italia e arriti finalen e Euro 2020 pasi e mundi Spanjën e Enriques 4:2 në penallti të martën në Wembley. Të kaltrit e kishin fitoren në dorë pas golit të epërsisë që Federico Chiesa e shënoi në minutën e 60-të, por Alvaro Morata e barazoi rezultatin 10 minuta para fundit, për ta çuar ndeshjen në shtesë ku nuk pati gola më. Sulmuesi 28-vjeçar, megjithatë, dështoi nga pika e bardhë dhe i dha mundësinë Jorginhos ta dërgojë Italinë në finale.
Morata gjuajti në krahun e djathtë, por portieri Gigi Donnarumma e lexoi goditjen e tij dhe ia mohoi golin sulmuesit të Juventusit. Në një reagim në Instagram, Morata shkroi: “Ky grup meritoi më shumë, si e gjithë Spanja”.
Ai shtoi: “Ishte ëndrra juaj dhe ëndrra jonë, mund vetëm të them se jam krenar që kam qenë pjesë e këtij grupi. Faleminderit të gjithë atyre që na besuan. Futbolli mund të jetë mizor nganjëherë. Forca Spanja!” Italia do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Anglisë dhe Danimarkës në finalen e Wembley më 11 korrik.