Nga Frrok Çupi

Avokati francez, Jean Yves Le Borgne, duhet të nxitojë; ndryshe nuk ka më kohë. Avokati ka një muaj e ca që ka hyrë në betejë kundër qeverisë amerikane, në emër të Sali Berishës- i shpallur‘ i korruptuar botëror. Por deri tani nga avokati s’ka lajm. O tani, o s’ka më kohë. Qeveria amerikane nuk po humb sekondën, sot në Tiranë deklaroi se ‘kush është i përfshirë në korrupsion, tani është koha për në burg’. Vetëm sot u burgosën 11. Çfarë bën monsieur Borgne? Nesër do të jetë vonë. Këtu presin në ankth, jo aq shumë familjarët e lushnjarëve të arrestuar, se sa familja politike dhe militante e Berishës. Por avokati francez nuk e di sekretin e njerëzve që rriten në këtë tokë: Këtu koha është aleati më i mirë i armiqve të Amerikës. Qysh herët, të gjithë llojet e anti- amerikanëve, e kanë vënë kokën në jastëkun e aleatit kohë. Zoti Borgne duket si i fjetur, aq më pak inteligjent, madje as aq inteligjent sa klienti i tij, Berisha, i cili po e shtrydh kohën në favor të tij: Publikon foto me James Baker, me Bushin (e madh), me Bushin (të birin)…, uron në ditën e Kushtetutës amerikane… Ai po bën gjithçka.

Sikur edhe kohën ta marrin si aleaten e vet amerikanët, atëherë çfarë u mbeti këtyre këtu?! Amerikanët kanë fuqinë, kanë ligjin, kanë modelin, kanë ftohtësinë e nevojshme dhe në fund edhe dëshirën e popullit shqiptar për t’u çliruar…Monsieur Borgne, nxito! Përveç kohës, të gjitha të tjerat i kanë në favor amerikanët.

Amerikanët kanë në favor territorin: Ku ka një strofkë ku mund të fshihet krimi?! Askund. Ushtria amerikane sapo la një stërvitje të madhe, më të madhen në histori, ‘Defender Evrope 21’ që u zhvillua në këtë territor. Të menduarit rreth ngjarjeve e kanë lidhur stërvitjen e madhe me një gisht tregues të Amerikës drejtuar peshqve të mëdhenj të korruptuar, ku iu bëjnë me dije: ‘Mos guxoni të trazoni tokën dhe ajrin, se u piu e zeza’. Kërcënimin e kanë lëshuar për momentin nëse do të përsëriten prangat si sot në Lushnjë. Arrestimet që u kryen sot në Lushnjë japin sinjalin se prangat po ngjiten lart në karrierë, deri në krye të shtetit. ‘Kush është i përfshirë në korrupsion, tani është koha për në burg’, foli Amerika.

Këta edhe pse kanë qenë dhe janë në krye të shtetit, nuk kanë mësuar se Amerika e ka shënuar me bojë hartën dollarit edhe në territorin tonë, duke gjurmuar: Sa pasuri u përfituan nga trafiku i naftës dhe e armëve?, sa u vodhën nga populli me firmat piramidale?, sa u përfituan nën dorë nga anëtarësimi në Konferencën Islamike?, sa nga fabrika e Gërdecit?, sa nga tjetërsimi i pronave në favor të familjes qeveritare, etj… Avokati francez, po nuk e ndali Amerikën tani, as ka për ta ndalur ndonjë herë.

Amerika ka me vete vullnetin: Këtu, njëmijë vjet me radhë, shqiptarët kanë pritur aleatin Amerikë, madje edhe në atë epokë kur Amerika as ishte ngjizur si shtet. Shqiptarët nuk kishin gjetur shpëtim nga fqinjët, as nga ‘evropi’; por aq më pak shpëtim kishin gjetur nga të vetët. Këtu kanë lindur dhe kanë bërë gropa të mëdha në pasurinë dhe në vlerat e kombit disa të korruptuar të tjerë, të mëparshëm, të korruptuar dhe minues të rendit kombëtar…, para se të vinte shekulli i këtyre që po gjuan Amerika sot. Momenti kur Amerika vuri gishtin mbi ‘armiqtë e vet’, në fakt ka vënë gishtin mbi ‘armiqtë e kombit’ shqiptar. Këta, të paktën, duhet të kthejnë pasurinë e grabitur, të dorëzojnë vilat, pallatet, tokat e xanuna, bregdetin, floririn…. Duhet kthyer pasuria e grabitur! Zoti Borgne që ka marrë në mbrojtje Berishën, nuk duhet asnjë minutë vonesë. Për pak ditë do t’i zihen duart edhe me mbrojtjen e Metës që është president i shkulur…, e atëherë ku e gjen kohën?!

Amerika ka provat dhe dëshmitarët kyç: Këta këtu po thërrasin kundër Amerikës: ‘Hë, na dëshmo krimin, ose…! Avokati në Paris akoma nuk e ka bërë këtë kërkesë; por me siguri nuk ka tradhti prej tij. Ai e di se po i kërkove një gjë shtetit amerikan, ai ta jep në vend. E si thoni?, ta peshojë avokati gjithë atë dëshmi?… Dëshmia është shumë e rëndë: Këtu sapo mbërriti dhe u largua për në Perëndim bija e Haklajve në Tropojë, që ka një ‘Shkëlzen’ me prova e mizori. Sapo pret në derën e gjyqit roja personale e Berishës- i dënuar për vrasjen e shekullit . Gërdeci, sapo është hapur me gojën e vet po dëshmon tmerrin më të madh të shekujve. Nga veriu vijnë dëshmitë e thyerjeve millosheviciane dhe uçk- iste. Dosja e 21 Janarit dhe dosja ‘Santo’ mbajnë familje të tëra të rehatuar në vila e në plazhe. Pilotët e sulmit mbi jug atëherë patën zbarkuar në Perëndim dhe tani kthehen. Janë gjetur- po thuhet- edhe disa llogari bankare të fuqishme nëpër botë. Mijëra dosje po kalojnë Adriatikun drejt Tiranës. Pronat e vjedhura dhe të lëna në duar të ‘besnikëve’ po rënkojnë nën dyshime nëse do të kthehen më te ‘i zoti’, apo do t’i marrë dreqi… O zot, sa keq. Edhe avokati francez po vonohet; duket se nuk ka më kohë.