Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ai do të përcillet sot për në banesën e fundit, por me shumë gjasa i biri, Kadri Veseli, nuk do të jetë prezent për t’i dhënë lamtumirën të atit.

Veseli po mbahet në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ndërsa Zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, ka thënë për “Gazetën Express” se paneli i gjykatës do të vendosë nëse ai do të lejohet apo jo të shkojë në varrimin e të atit.

“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon personat e ndaluar të bëjnë kërkesa tek Paneli kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për kërkesa të tilla”, ka thënë Griep.

Familjarët e Veselit kanë thënë se ai u ka dhënë leje që t’i kryejnë edhe pa të procedurat mortore.

Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës në maj të këtij viti. Gjykata Speciale e liroi atë përkohësisht për ta bërë këtë vizitë, për t’u rikthyer sërish më pas në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, ku po mbahet nën akuza të rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.