Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja pa nga afër punën që po kryhet për asfaltimin e rrugës Elbasan-Labinot Mal.

Në fjalën e tij, Balla theksoi se rruga e Labinotit Mal është një angazhim dhe investim shumë i rëndësishëm që do t’i vijë në ndihmë kësaj zone me potencial të madh agroturistik.

“Teksa gjithë Shqipëria po i drejtohet pushimeve bashkë me kryetarin e bashkisë kemi ardhur për të ndjekur nga afër punimet për shtrimin me asfalt të rrugës së Shmilit në Njësinë Administrative Labinot Mal, e cila është një rrugë e rëndësishme jo vetëm për lidhjen me pjesën tjetër të bashkisë Elbasan të banorëve të kësaj njësie, por më shumë se kaq. Kjo është një rrugë sa historike aq edhe e rëndësishme për zhvillimin e agroturizmit. Kjo është një zonë me bukuri të rralla natyrore, me njerëz shumë punëtorë dhe me shumë prodhime bujqësore”, tha Balla.

Duke u fokusuar tek agroturizmi, Balla deklaroi se qëllimi është që me zhvillimin e infrastrukturës të nxisim familjet që jetojnë në këtë zonë që shtëpitë t’i shndërrojnë në bujtina me qëllimin që ta bëjmë këtë zonë një prej destinacioneve të rëndësishme të këtij lloj turizmi.

Në përfundim të fjalës së tij Balla theksoi se investimi në të gjitha zonat rurale të Elbasanit do të vazhdojnë dhe ky është një prej atyre investimeve që kërkonte një angazhim të madh financiar nga ana e qeverisë shqiptare dhe prandaj u bë investimi në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.